Pasditen e djeshme, moti i keq që goditi periferitë jugore të Atikës të Greqisë rezultoi vdekjeprurës, pasi një grua 56-vjeçare humbi jetën në Ano Glyfada, pasi u rrëmbye nga ujërat e rrëmbyeshme të shiut.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas orës 20:00 të mërkurën, kur viktima, duke u kthyer nga puna, tentoi të kalonte rrugën në kryqëzimin e rrugëve Kyrillou dhe Methodiou me Konstantinou Paleologou.
Në atë moment, një përrua i fuqishëm zbriste nga mali drejt rrugës Kyrillou dhe Methodiou, duke e rrëmbyer gruan dhe duke e bllokuar nën një automjet që ishte zhvendosur më parë nga sasia e madhe e ujit.
Banorët e zonës, të cilët panë skenën, njoftuan menjëherë autoritetet. Zjarrfikësit arritën në vendngjarje dhe e nxorën 56-vjeçaren nga poshtë makinës, por fatkeqësisht ajo ishte pa ndjenja dhe nuk arriti të mbijetojë.
Një dëshmitar okular përshkroi momentet dramatike: “Ajo po kalonte rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Përroi e mori menjëherë. U bllokua nën makinë dhe nuk mundëm ta shpëtonim. Uji ishte shumë i fortë, me gurë. Vetëm këmbët e saj dukeshin. Ishte 56-vjeçe dhe kishte familje, një vajzë”.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta në zonë, me përmbytje dhe dëme materiale.
Sakaq, një aksident tragjik ndodhi në Astros të Kynourias, ku një roje bregdetare 53-vjeçare humbi jetën gjatë ushtrimit të detyrës. Viktima mbante gradën nëntoger dhe shërbente si oficer në Departamentin Portual të zonës.
Sipas njoftimit zyrtar të Rojës Bregdetare Helenike, 53-vjeçari ndodhej në patrullim këmbësor në port, së bashku me komandantin e Departamentit Portual.
Gjatë ankorimit të anijeve, një valë e fortë e rrëmbeu, duke i shkaktuar një dëmtim të rëndë në kokë.
Roja bregdetare, u nxor menjëherë nga uji pa ndjenja dhe u transportua në Qendrën Shëndetësore të zonës, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa shërbimi i Rojës Bregdetare shprehu ngushëllimet për humbjen e oficerit, i cili humbi jetën në krye të detyrës.
