Moti i keq ka përfshirë sot qytetin e Shkodrës, ku pesë mjete janë bllokuar në aksin rrugor Breg Lumi–Theth.
Si pasojë e reshjeve intensive të shiut, në zonë ka ndodhur një rrëshqitje dherash dhe inertesh, duke bllokuar qarkullimin.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë Shkodër, i cili tha se menjëherë pas njoftimit për bllokimin e mjeteve dhe 9 personave që udhëtonin me to, janë angazhuar forca dhe kapacitete në terren për t’u ardhur në ndihmë dhe për të bërë hapjen e rrugës.
“Bashkia Shkodër është angazhuar menjëherë me të gjitha kapacitetet në terren, sapo është njoftuar për bllokimin e 5 mjeteve dhe 9 personave në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, si pasojë e shembjes së një masivi inertesh për shkak të motit të keq dhe reshjeve intensive.
Makineritë e rënda dhe fadromat janë vënë menjëherë në punë për zhbllokimin e rrugës, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile është nisur drejt zonës për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë me mjete të posaçme për evakuimin dhe garantimin e sigurisë së personave të bllokuar.
Strukturat tona po punojnë me intensitet për të normalizuar qarkullimin dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga kjo situatë e krijuar nga kushtet e vështira atmosferike”, shprehet Beci.
