Ditën e nesërme, vendi ynë pritet të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm dhe reshje shiu.
Reshje mesatare deri lokalisht intensive priten në qarqet Shkodër dhe Kukës. Në qarqet Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër parashikohen reshje mesatare, ndërsa në Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Korçë reshjet do të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit ditën e enjte dhe të premte, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 06:00 e datës 26.03.2026, pritet erë me drejtim jug–juglindje me forcë deri në 6–7 Bft, shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri në 2.50 metra.
Si pasojë, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës në det të hapur nga ora 06:00 e datës 26.03.2026 deri në orën 06:00 të datës 27.03.2026.
Gjithashtu, trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar lundrimin dhe mbërritjen në Portin e Vlorës për ditën e nesërme.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 27.03.2026.
