Ditën e sotme, moti i keq ka mbërthyer Veriun e Shqipërisë, në qarkun e Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës, ku reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar vështirësi në rrugë dhe rrezik për drejtuesit e mjeteve.
Policia e Shtetit ka bërë një thirrje urgjente për kujdes të shtuar në qarkullim si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Autoritetet këshillojnë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera. Policia thekson rëndësinë e ndjekjes së udhëzimeve të shërbimeve të saj në terren dhe shmangien e udhëtimeve të panevojshme, sidomos në zonat malore ku reshjet kanë qenë më intensive.
Për qytetarët që detyrohen të udhëtojnë në zonat e prekura nga dëbora, rekomandohet që automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë për të evituar aksidente dhe bllokime në rrugë.
Ndërkohë, borëpastrueset dhe fadromat janë angazhuar intensivisht për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës për të përmirësuar kushtet e lëvizjes.
Në rast nevoje, qytetarët këshillohen të telefonojnë pa pagesë në numrin emergjent 112, ku shërbimet e Policisë do të ofrojnë ndihmë të menjëhershme.