Moti i keq “mbërthen” vendin/ IGJEUM: Priten reshje intensive dhe ngrica

Instituti i Gjoeshkencave, në një parashikim të situatës metereologjike, bën me dije se ditën e nesërme, reshjet e dëbores pritet të përfshijnë zonat Verilindore, Lindore dhe Juglindore të territorit.

Reshjet të cilat do të pasohen nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.

Më tej në postimin e IGJEUM thuhet se nesër priten reshje intensive në qarkun Shkodër.

Ndër të tjera theksohet se shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh e inertesh dhe vërshime të ujit në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 10 / 14 °C; në vendet e ulëta: 9 / 14 °C dhe në vendet malore: -1 / 10 °C.

Kujtojmë se reshjet intensive të shiut dhe dëborës kanë nisur që mbrëmjen e sotme në disa zona të vendit. Më herët u raportua së në Qafë Thore, dy borëpastruese po pastrojnë rrugën nga dëbora intensive e rënë gjatë orëve të fundit.


Shtuar 14.02.2026 23:21

Tags: ,