Fshati Xhyrë, në Njësinë Administrative Hotolisht, bashkia Librazhd, po përballet me një situatë të rëndë emergjente, pasi ura kryesore që e lidhte me rrugën kombëtare është dëmtuar nga prurjet jashtëzakonisht të mëdha të lumit Shkumbin.
Rënia e këmbës qendrore të urës, e vendosur në mes të shtratit të lumit, ka shkaktuar dëmtimin dhe shembjen e strukturës, duke bllokuar menjëherë çdo lloj lëvizjeje.
Rrjedha e fuqishme e ujit, e nxitur nga reshjet intensive dhe prurjet e pazakonta të ditëve të fundit, ka bërë që ura të mos i rezistojë goditjes së vazhdueshme, duke e kthyer situatën në një rrezik për sigurinë publike.
Që në orët e para, emergjencat civile dhe policia kanë ndërhyrë duke bllokuar me blloqe betoni hyrjet, si edhe duke vendosur sinjalistikën e nevojshme dhe ndaluar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Nisur nga ky bllokim, është siguruar kalimi i banorëve nga rruga e vjetër ndërsa për momentin, ura aksesohet vetëm nga këmbësorët.
Për të mundësuar që fëmijët të frekuentojnë shkollën, janë marrë masa të veçanta ku nga të dyja anët e urës janë vendosur furgona për transportin e nxënësve.
