Moti i keq ka lënë pasoja të rënda edhe në qarkun e Gjirokastrës, jo vetëm me përmbytje masive, por edhe me dëmtime të infrastrukturës rrugore.
Si pasojë e çarjes së karrexhatës, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, aksi rrugor Përmet–Çarçovë, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Petranit”, është i bllokuar për qarkullim.
Në terren ndodhen strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), të cilat po punojnë intensivisht për rritjen e sigurisë, menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen për normalizimin e këtij segmenti rrugor.
Gjithashtu, është rritur prezenca e shërbimeve të Policisë së Shtetit në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ofrimin e ndihmës për përdoruesit e rrugës, në rast nevoje.
