Moska pretendon se ka pushtuar Bakhmutin, Kievi: Beteja nuk ka përfunduar

Rusia pretendon të ketë marrë kontrollin e qytetit të Bakhmutit, por udhëheqësit e lartë ushtarakë ukrainas, thonë se beteja për qytetin nuk ka përfunduar.

Prej nëntë muajsh Bakhmuti ka qenë skenë luftimesh të ashpra, ku kanë humbur jetën me dhjetëra mijëra ushtarë.

Zyrtarët ukrainas e pranojnë se forcat e tyre kontrollojnë vetëm një pjesë të vogël të qytetit.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës Hanna Maliar tha të hënën se trupat ukrainase vazhdojnë të kenë kontrollin e disa zonave periferike në jugperëndim të Bakhmutit, ndërsa beteja vazhdon.

“Aftësitë sulmuese të armikut janë reduktuar ndjeshëm. Armikut i janë shkaktuar humbje të mëdha. Kemi fituar kohë për kryer veprime të caktuara, të cilat do të bëhen të ditura më vonë”, tha zonja Maliar.

Kievi thotë se pozicionet aktuale të trupave të tyre dhe përparimet domëthënëse që ato po shënojnë në periferi të qytetit, do t’u japin mundësi t’i rrethojnë trupat ruse në brendësi të Bakhmutit.

Luftimet e ashpra e bëjnë të pamundur konfirmimin e situatës në terren. Ministria ruse e mbrojtjes tha se mercenarët e grupit ‘Wagner’ të mbështetur nga trupat ruse, kishin pushtuar qytetin, por Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se Bakhmuti nuk ishte pushtuar plotësisht./voa


Shtuar 22.05.2023 14:57