Moska e konfirmon: Rusia dhe SHBA-ja zhvilluan sot bisedime në Ankara

Bisedimet ruso-amerikane u zhvilluan në Ankara të hënën me iniciativën e Shteteve të Bashkuara, tha sot zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov për TASS.

“Negociatat e tilla, me të vërtetë, u zhvilluan. Ato u iniciuan nga pala amerikane,” tha zëdhënësi i Kremlinit.

Peskov shmangu zbulimin e temës së bisedave. Më herët Reuters, duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, raportoi se drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, William Burns, ndodhej në kryeqytetin turk, ku kishte mbërritur për t’u takuar me homologun e tij rus.

Drejtori i shërbimit të huaj të inteligjencës (SVR), Sergey Naryshkin, thuhet se përfaqësonte Rusinë. Autoritetet turke nuk kanë dhënë asnjë koment zyrtar. Por burime në shërbimet speciale turke, kanë ngritur dyshimet se takimi mund të jetë i rëndësishëm për vendosjen e linjave të komunikimit midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.


Shtuar 14.11.2022 18:37