Mosha e madhe, skandalet e të birit dhe kriza e emigrantëve, arsyet pse është në rrezik rizgjedhja e Joe Biden

Nga Valerio Chiappaino “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Ne arritëm të shmangim kolapsin e ekonomisë, dhe populli amerikan mori atë që i nevojitej”. Këto ishin fjalët që i drejtoi kombit presidenti amerikan Joe Biden nga Zyra Ovale në fillim të këtij muaji, kur prezantoi marrëveshjen e arritur me kryetarin e Kongresit, republikanin Kevin Mccarthy.

Marrëveshja rregullon çështjen e tavanit të borxhit kombëtar, dhe shmang rrezikun e mospagimit të faturave deri në janarin e vitit 2025. Po atë ditë u publikuan të dhënat për punësimin në SHBA, të cilat shënuan një rritje prej 339.000 personash.

Me këto suksese të arritura në vetëm pak ditë, Biden mund të jetë i qetë në rrugëtimin e tij drejt riemërimit si kandidat zyrtar për një mandat të dytë. Por si shpjegohet atëherë fakti që sipas një sondazhi të fundit të NewsNation/DDHQ, 49 për qind e të anketuarve do të vlerësonin një kandidat të palës së tretë nëse Biden dhe Trump do të ishin dy zgjedhjet kryesore në fletën e votimit?

Gazeta dhe uebsajte të shumta kanë botuar artikuj të ndryshëm mbi atë që shihet si “Thembra e Akilit” e presidentit Biden: moshën e tij të madhe. Analiza e fundit mbi këtë çështje u shfaq fundjavën e kaluar në faqet e New York Times, dhe verdikti gjendet që tek titulli “Realiteti i ndërlikuar i Joe Biden, presidentit më të moshuar që ka pasur ndonjëherë Amerika”.

Banori aktual i Shtëpisë së Bardhë është në gjendje të ruajë gjakftohtësinë, siç ndodhi dimrin e kaluar, kur u zgjua në mes të natës nga lajmi i një rakete që shpërtheu në territorin polak. Edhe udhëtimi i tij i gjatë sekret me tren për një vizitë të papritur në Kiev është ndër shembujt që do të tregonin se presidenti 80-vjeçar është plotësisht i aftë të përmbushë rolin e komandantit të përgjithshëm në një nga periudhat më të rrezikshme të historisë botërore.

Megjithatë, në të njëjtën analizë, përmendet rrëzimi i fundit i presidentit gjatë një ceremonie në Akademinë e Forcave Ajrore në Kolorado, së bashku me disa episode të tjera në të cilat Biden është ngatërruar mbi numrin e nipërve dhe mbesave, apo edhe për emrin e filmit të tij të preferuar.

Më pas faqja e internetit Axios dhe New York Times studiuan në detaje axhendën e presidentit demokrat, duke zbuluar një numër të ngjashëm aktivitetesh në krahasim me të njëjtin vit të presidencës Obama. Anomalia e vërtetë është numri i ulët i intervistave të dhëna për mediat, vetëm çereku krahasuar me Trump dhe 1/5 në krahasim me Obamën në të njëjtën periudhë.

Kjo tregon se stafi i tij është i kujdesshëm që të ta parandalojë Biden të bëjë ndonjë nga gafat për të cilat ai është i famshëm. Debati mbi moshën e një presidenti që do të ishte 86 vjeç në vitin e fundit të mandatit të tij të dytë, nuk kursen as kundërshtarin e mundshëm republika, Donald Trump, që është vetëm 4 vjet më i ri se sa demokrati.

Nëse Biden stërvitet fizikisht pothuajse çdo ditë dhe sipas shumë burimeve, është ende në gjendje të lexojë të dhëna komplekse dhe të bëjë pyetje të sikletshme, dieta e Trump me sanduiçë dhe biftekë, si dhe aftësitë e tij njohëse ngrenë disa pikëpyetje në lidhje me aftësinë e tij për të udhëhequr superfuqinë kryesore në botë.

Disa nga këshilltarët e tij, kanë raportuar se ai ka vështirësi në përpunimin e informacionit dhe dallimin e trillimeve nga realiteti. Atëherë, pse në qendër të vëmendjes për këtë çështje është më shumë Biden sesa Trump?  Në fakt, sipas një sondazhi të Reuters/IPSOS, 73 për qind e amerikanëve besojnë se Biden është shumë i vjetër.

Ndërkohë vetëm 51 për qind mendojnë të njëjtën gjë për Trump. Shpjegimi është se stili i  komunikimit publik i Trump me plotë teprime, projekton një ndjenjë më të madhe fuqie dhe energjie. Gjithsesi, përtej moshës Biden ka shumë pengesa të tjera në rrugën drejt rizgjedhjes.

E para ka të bëjë me Hunter Biden, djalin “problematik” të presidentit. Javët e fundit, Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS), hoqi të gjithë ekipin hetimor nga hetimi i mashtrimit fiskal kundër Hunter. Sipas raporteve urdhri erdhi nga Departamenti i Drejtësisë.

Hetimi i nisur në vitin 2018, u fokusua në marrëdhëniet e djalit të presidentit me kompanitë e huaja, dhe më pas mbi deklaratën e rreme mbi blerjen e një arme. Por prokurori i Delaware i emëruar nga Donald Trump, David Weiss, mund të ngrejë një aktakuzë.

E dyta ka të bëjë me krizën e emigracionit në kufirin me Meksikën. Në maj skadoi afati i ligjit të njohur si Titulli 42, masa e prezantuar në vitin 2020 nga Donald Trump, që lejonte dëbimin e menjëhershëm të emigrantëve që hynë ilegalisht në vend. Për momentin të dhënat për shkeljet e paligjshme të kufirit janë në rënie, por kushtet e vështira që nxitin mijëra meksikanë dhe amerikano-qendrorë të largohen nga vendet e tyre janë ende të pranishme.

Një tjetër element që mund të sabotojë garën e Biden është Kamala Harris, zëvendëspresidentja që do të jetë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes së mediave muajt në vijim duke pasur parasysh se në rast vdekjeje, ajo mund ta pasojë në detyrë Biden. Megjithë origjinën dhe kredencialet e saj, Harris nuk e ka emocionuar deri më tani bazën elektorale, dhe nuk ka pasur një ndikim të prekshëm në axhendën e administratës Biden.

Fronti më i nxehtë është padyshim ai që lidhet me luftën në Ukrainë. Me perspektivën e negociatave të paqes ende shumë larg, presidenti rus Putin mund të luajë shumë letra për të ndikuar mbi zgjedhjet presidenciale në SHBA. Në kushtet kur Trump pretendon se mund ta ndalë luftën për 24 orë, Putin mund të deklarojë hapur se është i përgatitur të ulet në tryezën e negociatave vetëm me Trumpin si president. Në këtë mënyrë, ai mund të hakmerret ndaj deklaratës që bëri Biden në Varshavë një vit më parë, kur tha duke iu referuar presidentit rus: “Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet!”. /albeu.com

 

 

 

 

 

 

 


Shtuar 12.06.2023 13:33