Tashmë gjithçka duket shumë qartë: Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, të dyja të kënaqura nga rezultatet e zgjedhjeve, kanë vendosur të mbyllin të gjitha rrugët e mundshme për ndonjë ndryshim të mundshëm te rezultatit të 11 majit.
Bashkimi i votave në KAS i Partisë Demokratike me socialistët, duke hedhur poshtë kërkesat e kandidatëve demokratë për rinumërim, është fakt i pakontestueshëm që Berisha nuk i do në parlament emrat si Ilir Alimehmeti apo Aulon Kalaja (por edhe të tjerë), të cilët sipas burimeve të Albeu.com kanë shprehur pakënaqësinë dhe akuzat se votat e tyre u janë tjetërsuar nga partia e tyre në bashkëpunim me PS, duke iu kaluar kandidatëve tjerë demokrat.
Ka qenë sot vet kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili është prononcuar lidhur me kërkesën për rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës.
Berisha deklaroi se kërkesa u refuzua nga përfaqësuesit e PS dhe të PD-së në KAS, pasi procedura e ndjekur nga disa kandidatë demokratë nuk ishte në përputhje me ligjin. Ai theksoi se, sipas normave ligjore dhe rekomandimeve ndërkombëtare të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, është partia politike ajo që ka të drejtën të paraqesë ankesat në emër të kandidatëve.
Ai shtoi se disa nga kandidatët kanë dorëzuar tashmë ankesat e tyre pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dhe se të katër kandidatët në Tiranë mund ta ndjekin të njëjtën rrugë duke iu drejtuar fillimisht përfaqësuesve të PD në Komisionin e Qarqeve për Ankimime (KQA), e më pas pranë KQZ-së.
“Ka pasur një keqkuptim nga ana e kandidatëve. Përfaqësuesit tanë kanë qenë të qartë në interpretimin e ligjit dhe të udhëzimeve të partisë – çdo kërkesë duhet të kalojë përmes strukturave të PD-së, në përputhje me platformën e miratuar,” përfundoi Berisha.
Me fjalë të tjera, ai kërkon që kërkesat e të pakënaqurve të kalojnë përmes përfaqësuesve të PD në Komisionin e Qarqeve për Ankimime (KQA), e më pas pranë KQZ-së.
Ndërkohë, të pakënaqurit janë të vetëdijshëm se ndjekja e kësaj rruge, do të thotë mos ankimim në KQZ, pasi edhe devijimi i votës së kandidatëve është bërë pikërisht nga vet partia nën siglën e të cilës ata kanë kandiduar. /albeu.com/