“Mos revoltoni protestuesit”, Berisha jep mesazhin për policinë një ditë para protestës

Kreu i PD-së Sali Berisha ka dalë sot në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët një ditë para protestës së opozitës. Berisha ka dhënë një mesazh për policinë për të mos revoltuar protestuesit.

“Mesazhi im është mos revoltoni protestuesit, kaq është. Ata vijnë në të drejtat e tyre kushtetuese. Vijnë të provokuar në shkallën më të lartë nga një njeri që po ua dëbon fëmijët dhe njerëzit nga shtëpitë e tyre, po i vjedh dhe plaçkit çdo ditë. Kaq është mesazhi im. Asgjë s’mund të zvogëlojë dimensionet e protestës që do jetë nesër”.

“Po, ju kam deklaruar se opozita është në protestë, populli opozitar është në protestë kundër kësaj qeveri dhe populli opozitar do të përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile dhe do shpallë moton e tij në protestë sepse ne nuk mund të pajtohemi kurrë me shpërbërjen e kombit shqiptar nga konfiskimi i lirive të shqiptarëve nga një qeveri lidhur kryekëput me krimin, drogën, vjedhjen, mashtrimin. Ne e kemi shumë seriozisht këtë betejë. Kemi pasur një periudhë që kemi pasur probleme organizimi, riorganizimi, kemi primaret të cilat po ecin shumë mirë dhe që do i vazhdojmë me vendosmërinë më të madhe, por nga ana tjetër kemi armikun e votës dhe të lirive. Me të ne do përballemi siç e meriton”.