Mos i lini çadrat në shtëpi! Sot reshje shiu me shtrëngata, njihuni me parashikimin e motit për sot dhe nesër

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa me origjinë perëndimore.

Moti në orët e para të 24-orëshit dhe deri në orët e mesditës parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar.

Në zonën e Alpeve dhe në verilindje në lartësitë mbi 700-800 metra priten reshje dëbore me intensitet të ulët lokalisht deri mesatar.

Në zonën e juglindjes priten reshje të dobëta dëbore në lartësitë mbi 1200 metra. Pas orëve të mesditës mot me kthjellime e alternime vranësirash të cilat hera-herës do të jenë deri të dendura. Mjegull e dendur/mjegullinë në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era parashikohet të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 2-7 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare si dhe zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 8-14 m/sek shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 2-3 ballë.

E DIEL

Për ditën e Diel moti deri në orët e mesditës parashikohet me kthjellime e alternime vranësirash deri të dendura.

Pas orëve të mesditës mot me vranësira të dendura dhe reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

Në mënyrë tepër të izoluar dhe në periudha tepër afatshkurtra në orët e mbrëmjes reshjet me intensitet deri dhe të lartë shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet mesatar dhe në periudha tepër afatshkurtra stuhi dëbore. Në zonën e verilindje në lartësitë mbi 600-700 reshje dëbore me intensitet të ulët dhe mesatar.

Në zonën e juglindjes në lartësitë mbi 700-800 metër reshje dëbore me intensitet të ulët dhe në lartësitë mbi 1000 metër intensitet deri mesatar.

Vlen për tu përmendur edhe elementi i erës e cila ditën e diel deri në orët e mesditës do të fryjë intensive dhe përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore tepër intensive me drejtim nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 12-22 m/s.


Shtuar 7.12.2024 08:48