Nga Brian Klaas “The Atlantic”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Pak ditë më parë në një dalje mediatike në Fox News ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump e quajti despotin e Kinës, Xi Jinping “një djalë të shkëlqyer” që “drejton me një dorë të hekurt 1.4 miliardë njerëz”. Që dikush të mos dyshojë në admirimin e tij, Trump shtoi se Xi është “i zgjuar, i shkëlqyer dhe i përsosur”.
“Në Hollywood nuk ka një njeri si ai”- shtoi ish-presidenti. Por Trump nuk është i vetëm në admirimin që ka ndaj Xi. Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë globin e pranojnë se joshen nga një diktator që mbaron punë dhe që i bën trenat të lëvizin në kohë, pavarësisht nga rregullat apo ligjet.
Sipas sondazheve të përsëritura, afro 1 në 4 amerikanë bien dakord me deklaratën se është i dëshirueshëm një “lider i fortë që nuk duhet të shqetësohet për Kongresin dhe zgjedhjet e radhës”. Një përqindje shumë më e lartë qytetarësh, pajtohen me këtë ndjenjë për liderët diku tjetër, përfshirë në disa nga demokracitë më të populluara: 55 për qind e indianëve, 52 për qind e indonezianëve, 38 për qind e nigerianëve dhe 31 për qind e japonezëve.
Kjo pikëpamje pozitive ndaj sundimit autoritar, priret të shfaqet më shpesh aty ku qeveritë nuk po arrijnë të përmbushin pritshmëritë popullore. Kur demokracia ka sukses, diktatura nuk duket si një alternativë rozë. Vetëm 6 për qind e gjermanëve dhe 9 për qind e suedezëve joshen nga liderët autoritarë.
Admirimi ndaj autokracisë është ndërtuar mbi një gënjeshtër shkatërrimtare, të cilën unë e quaj “miti i diktaturës dashamirëse”. Miti është ndërtuar mbi tre shtylla të dobëta. Së pari, që diktatorët prodhojnë një rritje ekonomike më të fortë sesa homologët e tyre demokratikë
Së dyti, që diktatorët, të pandikuar aspak nga opinioni publik, janë mendimtarë strategjikë afatgjatë. Dhe së treti, që diktatorët sjellin stabilitet, ndërsa demokracitë e ndara prodhojnë kaos. Dy dekada më parë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë u ngatërruan në Luftën e Irakut dhe më vonë u zhytën në krizën financiare.
Kjo bëri që institutet e mendimit të fillonin të lavdëronin “Konsensusin e Pekinit” ose “Modelin e Kinës”, si një alternativë ndaj demokracisë liberale. Kritikat ndaj demokracisë u bënë shumë popullore në epokën e Trump dhe Brexit. Në Shtetet e Bashkuara, shumë intelektualë botuan disa artikuj ku argumentonin se problemi ishte pasja e shumë demokracive.
Në vitin 2018, “The Times” e Londrës publikoi një shkrim me titulluar “Udhëheqësit tanë të ndrojtur mund të mësojnë nga liderët autoritarë”. Duke përfituar nga problemet demokratike të Perëndimit, media shtetërore e Kinës shprehet se demokracia është një sistem “i frikshëm” që prodhon plagë të vetë-shkaktuara.
Por ngjarjet dhe kërkimet e reja vitet e fundit i kanë dhënë një goditje të fortë mitit të kahershëm të “diktaturës dashamirëse”. Për shembull të tria shtyllat e kësaj gënjeshtre. Çdo e dhënë e re vërteton se Winston Churchill kishte të drejtë kur tha dikur se: “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha atyre formave të tjera që janë provuar herë pas here”.
Le t’ia nisim me mitin se diktaturat prodhojnë rritje ekonomike më të fortë. Kjo gënjeshtër e ka burimin tek disa shembuj të mirënjohur e të përzgjedhur, ku despotët mbikëqyrën transformimet e habitshme të ekonomisë së tyre kombëtare. Duke filluar nga fundi i viteve 1950, Lee Kuan Yew ndihmoi në transformimin e Singaporit nga një kënetë e varfër dhe e mbushur me opium në një lokomotivë të ekonomisë globale.
Dhe në Kinë, PBB për frymë është rritur nga gati 318 dollarë në vitin 1990 në më shumë se 12.500 dollarë sot. Këto suksese janë të dukshme. Por një vlerësim sistematik i të dhënave të përgjithshme zbulon një realitet tjetër. Studimet kanë gjetur prova të kufizuara ose aspak prova se regjimet autoritare prodhojnë rritje ekonomike më të mirë se ato demokratike.
Ekonomistët politikë Darren Acemoglu dhe James Robinson, kanë gjetur prova bindëse se institucionet politike gjithëpërfshirëse të demokracisë janë një nga faktorët më të fortë në prodhimin e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë. Kur regjimet autoritare kanë sukses ekonomikisht, ato e bëjnë shpesh këtë me një kosto të lartë.
Sepse edhe diktaturat në lulëzim janë të prirura për shkatërrime katastrofike. Siç e thekson politologu Jacob Nyrup: “Kina përjetoi brenda një harku kohor 50-vjeçar edhe një zi buke, ku vdiqën 20-45 milionë njerëz, edhe një bum ekonomik, ku qindra milionë njerëz u nxorën nga varfëria”.
Megjithatë, miti i të udhëheqësve autoritare si mjeshtra të ekonomisë ka një problem edhe më të madh. Diktatorët i kanë manipuluar për dekada të dhënat e tyre ekonomike. Çdo qeveri është e motivuar të fshehë të dhënat e saj ekonomike. Por demokracitë kanë institucione që ofrojnë mbikëqyrje dhe i pengojnë politikanët t’i jepen këtij impulsi, duke siguruar shifra të sakta.
Në diktatura nuk ekzistojnë kontrolle të tilla. Luis Martinez, ekonomist në Universitetin e Çikagos, zbuloi se shpesh despotët e kanë mbivlerësuar normën e rritjes me rreth 35 për qind. Dhe sa më shumë të kontrollohen të dhënat, aq më shumë del në pah edhe manipulimi.
Edhe Kina, mrekullia e dukshme ekonomike e autoritarizmit, po tregon shenja të ngadalësimit. Modeli i saj i rritjes nuk përputhet më me ekonominë globale. Dhe të çara të tilla në rritje janë një tipar i lindur i autokracisë. Për shkak se diktaturat e kriminalizojnë kundërshtimin, mekanizmat normalë të reagimit ekonomik prishen, dhe sistemi nuk korrigjohet vetë kur kryen gabime ekonomike.
Shtylla e dytë e mitit është jo më pak e keqe se e para. Ajo thotë se diktatorët janë më shumë mendimtarë strategjikë afatgjatë sesa demokratë. Për më shumë se një dekadë, kam studiuar dhe intervistuar despotët dhe xhelatët që i rrethojnë ata. Një nga përfundimet që kam nxjerrë, është se marrja e vendimeve bazuar në informacione të këqija është një tipar i brendshëm i sistemeve që drejtojnë diktatorët.
Sa më gjatë që despotët të kapen pas pushtetit, aq më shumë ka gjasa që ata të bien në atë që unë e quaj “kurthi i diktatorit”, pra kur shtypin zërat kundër, ndëshkojnë këdo që i sfidon ata dhe ndërtojnë realitetin e tyre përmes propagandës, e gjitha vetëm për të mbajtur kontrollin.
Së fundmi, sa i përket pretendimit se diktatorët prodhojnë stabilitet. Disa diktatorë kanë qëndruar në pushtet për dekada. Para vdekjes së tij, Muammar Gaddafi sundoi Libinë për 42 vjet. Putin është në pushtet për më shumë se dy dekadash; Xi ka qeverisur vetëm për dekadë një deri më tani, por ai duket i përgatitur të mbajë pushtetin për një kohë të pacaktuar.
Për të qëndruar në pushtet, udhëheqësit autoritarë përballen me dilema të vazhdueshme. Nëse forcojnë udhëheqësit ushtarakë ose paraushtarakë, përballen me rrezikun e një grushti shteti. Por nëse i dobësojnë njerëzit e tyre nën armë, atëherë nuk mund të mbrohen nga pushtimi i jashtëm.
Për t’i mbajtur të lumtura elitat e tyre, despotët duhet t’i bëjnë ata të pasur nëpërmjet korrupsionit – zakonisht në kurriz të popullsisë. Por një klasë sunduese e mbushur me përfitime të paligjshme mund të frymëzojë një revolucion, ose një atentat. Autokratët duken të qëndrueshëm, por nuk janë.
Ironikisht stabiliteti që ekziston në autokraci rrjedh pjesërisht nga grackat e demokracisë. Hulumtimet e fundit kanë bërë të qartë se diktatorët kanë zhvilluar mekanizma për të “imituar demokracinë për të zgjatur autokracinë”. Shumica e liderëve autoritarë tani mbajnë zgjedhje, por i manipulojnë ato.
Megjithatë, në fund diktaturat priren të shpërbëhen. E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për Rusinë e Putinit. Kur ai të rrëzohet ose të vdesë, vendi nuk do të ketë një tranzicion të qetë dhe paqësor. Vdekja shpeshherë tragjike e autokratëve krijon një reagim ciklik negativ.
Marrë me shkurtime
Shënim:Brian Klaas, profesor i asociuar i politikës globale në Kolegjin Universitar të Londrës.
/albeu.com