Mori automatikun dhe alarmoi zonën, arrestohet 17-vjeçari në Gjirokastër

Një 17-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Gjirokastër pasi alarmoi zonën duke qëlluar me automatik në ajër.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjat, ndërsa adoleshenti është arrestuar  brenda pak orësh.

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër

Qëlloi me armë zjarri në ajër, në fshatin Gjat, Gjirokastër, Policia arreston në flagrancë brenda pak orësh autorin e dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas njoftimit të marrë se në fshatin Gjat, Lunxhëri, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me strukturat e DVP Gjirokastër, kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve intensive dhe profesionale, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Dh., 17 vjeç, banues në fshatin Gjat, Gjirokastër.
Ky shtetas dyshohet se në orët e mbrëmjes së djeshme ka qëlluar në ajër me armë zjarri automatike, në fshatin Gjat, Lunxhëri.

Pasi ka qëlluar, 17-vjeçari ka fshehur armën e zjarrit dhe është larguar, por është kapur brenda pak orësh nga shërbimet e Policisë. Gjithashtu nga Policia është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, me të cilën dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në ajër, si dhe dy krehra.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit të arrestuar u gjet edhe një armë sportive, të cilën ky shtetas e dispononte pa lejen përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.