Gjykata e Posaçme e Apelit, ka lënë në masën “arrest me burg” Klajdi Zhillën, një nga zyrtarët e IMT-së të akuzuar për çështjen e aferës korruptive në Kombinat disa jaë më parë.
I dyshuari kishte bërë ankimim në shkallën e dytë, por ditën e sotme kërkesa u rrëzua dhe u la në fuqi vendimi i shkallës së parë të GJKKO-së.
Ai akuzohet për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.
Zhilla dyshohet se i ka kërkuar ryshfet 1 mijë euro një biznesmeni në zonën e Kombinatit, me qëllim moskryerjen e veprimeve ligjore për tendën e lokalit që kishte zbatuar hapësirën publike.
Për këtë çështje janë të akuzuar dhe disa persona të tjerë.
Zhilla u vetëdorëzua në polici më 30 gusht. Punonjësi i IMT së Tiranës, ishte shpallur në kërkim gjatë një operacioni të SPAK dhe Policisë, pasi mori ryshfet për të mos hequr tendën e një lokali.
Pas hekurave përfunduan edhe Gerald Fuçia dhe Edmond Çela, ndërsa u shpall në kërkim Klajdi Zhilla, si dhe një tjetër.
Arrestimi i tyre mësohet se ka ndodhur në zonën e Kombinatit, në lokalin e ish-deputetit Mark Frroku, ku dhe u sekuestruan kamerat e sigurisë.
Vendimi i Aplit të GJKKO-së:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, shpalli sot vendimin mbi çështjen penale nr. 67 akti, datë 22.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim K.Zh., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 89, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” dhe vendosi:
Miratimin e Vendimit nr. 89, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit. U shpall në Tiranë, me datë 30.09.2025”.