Policia ka zbuluar një rast të rrëmbimit të një 32-vjeçari nga tre persona, dy prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa një i tretë u shpall në kërkim.
Në kuadër të operacionit të koduar “Hijet”, në pranga u vunë Hysen Neza 33-vjeç dhe Kevin Neza, 25-vjeç, ndërsa i shpall në kërkim 28-vjeçari me iniciale J.N.
Të lidhura
None found
32-vjeçari në kallëzimin e tij ka deklaruar se më 31 mars 2026 është marrë me forcë nga tre shtetas, të cilët e kanë mbajtur për disa orë në një ambient privat në zonën e Xhafzotajt, ku është kanosur dhe dhunuar fizikisht, me qëllim përfitimin e një shume parash.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar 5 automjete, 5 telefona celularë, një shumë parash dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizave përkatëse.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hijet”.
Morën me forcë një 32-vjeçar, e mbajtën në një ambient në Xhafzotaj, duke e kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për përfitimin e një vlere monetare, identifikohen 3 autorët e dyshuar.
Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallet në kërkim një tjetër.
Sekuestrohen 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në vijim të kallëzimit të bërë nga një 32-vjeçar, i cili deklaroi se më datë 31.03.2026, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet”.
Në kuadër të operacionit:
-u ndaluan shtetasit Hysen Neza 33 vjeç dhe Kevin Neza, 25 vjeç;
-u shpall në kërkim shtetasi J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
