Alti Nallbati vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, dhe dy personat e tjerë Marsel Buçi e Trajan Çeliku kanë lënë ambientet e burgut të Drenovës pasi gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpie”. Mësohet se në seancën gjyqësore pas 40 ditësh që u lanë në masë sigurie “arrest në burg”, për arsye të mbledhjes së provave dhe veprimeve hetimore shtesë të prokurorisë, tre të arrestuarit që morën peng dhe dhunuan 32-vjeçarin Ilir Topçiu, janë lënë në arrest shtëpie.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur më tepër se 1 muaj më parë në qytetin e Bilishtit ku Alti Nallbati, Marsel Buçi e Trajan Çeliku kanë marrë me forcë 32-vjeçarin Ilir Topçiu duke e çuar në magazinën në pronësi të njërit prej të arrestuarve, ku e kanë dhunuar dhe mbajtur për disa orë peng. Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku u akuzuan për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “kanosje”, të dyja veprat të kryera në bashkëpunim.
Ndërsa Marsel Buçi krahas dy veprave penale të mësipërme, u akuzua edhe për “plagosje të lehtë me dashje”. Hetimet vijojnë për këtë çështje që prej momentit kur Ilir Topçiu denoncoi ngjarjen pranë uniformave blu. Ngjarja tronditi opinionin publik dhe një ditë pas ngjarjes u shkarkua drejtori i policisë së qarkut Erion Ahmeti dhe u pezullua zëvendës drejtori për hetimin e krimit në DVP Korçë, Hajri Kushe.
