Monika Kryemadhi voton së bashku me djalin e saj: Indiferenca është vrasje e demokracisë

Sot, më 11 maj 2025, Shqipëria i drejtohet kutive të votimit, për të zgjedhur Parlamentin e ri. Mbi 3.7 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka votuar në qendrën në shkollën “Edit Durham” në kryeqytet.

Monika Kryemadhi, e cila nuk kandidon për deputete në zgjedhjet e 11 Majit, por ka shprehur mbështetjen për ish-bashkëshortin Ilir Meta që ndodhet në qeli, shoqërohej nga e ëma dhe djali i saj.

E para që hodhi votën ishte nëna e saj Fatime Kryemadhi, më pas deputetja dhe i biri. Pas përfundimit të procesit, për mediat, Monika Kryemadhi u bëri thirrje shqiptarëve që të votojnë, duke u shprehur se “është e vetmja mënyrë për ta shpëtuar këtë demokraci të brishtë.

“I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të shkojnë të votojnë sepse në fund të ditës indiferenca është vrasje e demokracisë më ka thënë Era. E vetmja mënyrë për ta shpëtuar këtë demokraci të brishtë është të shkojnë të votojnë dhe kush do ndryshimin, të japë ndryshimin”, tha Kryemadhi para gazetarëve, ku të pranishme ishin edhe vajzat e saj e të Ilir Metës, Bora dhe Era.


Shtuar 11.05.2025 10:17