Monika Kryemadhi në SPAK për masën “detyrim paraqitje”, batuta me gazetarët: Po nuk u pamë, shihemi vitin tjetër

Këtë të hënë, Monika Kryemadhi është paraqitur  në SPAK, për masën për detyrim paraqitje që GJKKO ka caktuar ndaj saj, si e akuzuar për dosjen “Meta”.

Ish-bashkëshortja e Ilir Metës, akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në 2 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Ndërsa Meta është nën akuzë nga SPAK për korrupsion në 3 raste të ndryshme, 2 prej të cilave i ka kryer në bashkëpunim.

Ish-Presidenti Ilir Meta, akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve.

Monika Kryemadhi, pak para minutash ka lënë edhe ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Ajo iu drejtua me batuta gazetarëve kur i pyeti; “Po ju edhe sot rrini këtu”? – duke iu referuar ditës së pushimit për shkak të festave të nëntorit.

Teksa dilte ajo shtoi më tej: “Po nuk u pamë, shihemi vitin tjetër”!


Shtuar 1.12.2025 13:14