Momenti kur Ragip Gila largohet me armë në dorë, pasi vrau dy persona dhe plagosi dy të tjerë në Shkodër

Personi që shihni në foto është Ragip Gila, autori i dyshuar i masakrës me dy viktima e dy të plagosur në Shkodër.

Sic duket edhe nga  pamjet, menjëherë pas ngjarjes, është fiksuar nga kamerat e sigurisë i maskuar me një skafandër të bardhë teksa në dorën e mbathur me doreza të zeza mban dhe armën e krimit.

ÇFARË NDODHI DJE NË SHKODËR?

Ragip Gila, autori i dyshuar i masakrës me dy viktima e dy të plagosur në Shkodër, ka treguar në polici pas arrestimit se Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, i cili është mes të mbijetuarve ishte shënjestra e tij, në sulmin me armë në kufijtë e një akti terrorist në kryeqendrën e Veriut.

Nga breshëria e kallashnikovit mbeti i vrarë ish-këshilltari bashkiak Armando Pali, ndërsa në spital ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra edhe Liridon Kraja, 31-vjeç.

 

Objektivi i shpallur Erogen Vaso, 43-vjeç dhe kamarierja e lokalit 25-vjeçarja Meri Kacerja, mbeten të plagosur.

“E kisha me Erogenin! Doja ta vrisja atë kisha objektivin kryesor”, mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçari në dëshminë e tij para grupit hetimor, pak orë pas krimit, por pa dhënë më shumë detaje rreth motiveve të konfliktit që kishte me Erogen Brajoviç.

“Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me Ergogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë”, citohet të këtë thënë 29-vjeçari.

Për personat e tjerë, që u shndërruan në viktima të pafajshëm të hakmarrjes, ai ka thënë se nuk i njeh.

Megjithatë, kjo deklaratë është marrë me rezerva nga grupi hetimor, i cili do ta pyesë të riun me precendendë penalë sërish në vijim, ndërsa vijon grumbullimin e provave mbi ngjarjen.

Fakti që Shenjestra sipas autorit është vëllai i Denis Bajrit, të shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt, ka ngritur dyshime se krimi mund të jetë pasojë e përplasjes mes grupeve në kryeqendrën e veriut.

Ndaj edhe hetimet janë shtrirë në disa pista, ndërsa policia ka vijuar kontrollet në disa banesa në periferi të Shkodrës.

Krimi u shënua pak minuta para orës 09 00, kur Ragip Gila, mbërriti pranë këtij lokali thuajse ngjitur me bashkinë e Shkodrës, hyri brenda dhe hapi zjarr me breshëri automatiku.

Armando Pali që ndodhej në tavolinë me Erogen Brajoviç ndërroi jetë në vend, ndërsa badigardi i këtij të fundit ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve.

Këto janë pamjet kur 29 vjecari largohet nga vendngjarje, pasi rrëmben nën kërcënimin e armës një makinë.

Por arratia nuk zgjati shumë, pasi ai u përfshi në aksident dhë më pas u kap nga policia në tentativë për tu fshehur në zonën e Njohur Si Zalli I Kirit.

Erogen Brajoviç që sipas raportimeve mori tre plumba në trup dhe kamarierja 25-vjeçare ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.


Shtuar 9.09.2025 08:04