Është nxjerrë nga ujërat e liqenit të Shkopetit automjeti i 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë një ditë më parë pranë liqenit në Mat.
Operacioni për të nxjerrë makinën u realizua mesditën e 10 korrikut nga palombarët, ndërsa në vendngjarje mbërritën edhe ekspertë të kriminalistikës.
Trupi i të riut u zbulua mëngjesin e së mërkurës, më 9 korrik, me shenja dhune në trup dhe hematoma në qafë.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të kryer në Tiranë, shkaku i vdekjes është asfiksia nga litari, ç`ka tregon se 23-vjeçari është mbytur përpara se të hidhej në liqen së bashku me automjetin.
Po ashtu, plagët e tjera të gjetura në trupin e tij dyshohet se janë shkaktuar gjatë rrëzimit të automjetit në humnerë, përpara se të përfundonte në ujë.
Burime konfirmojnë se ekspertiza mjeko-ligjore po kryhet nga një grup i posaçëm prej tre mjekësh, të cilët po analizojnë me kujdes çdo detaj për të përcaktuar rrethanat e sakta të krimit.
Ndërkohë, policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur zonën.
Ende nuk janë dhënë detaje mbi të dyshuarit, por hetimet janë përqendruar në disa pista të mundshme.