Molotovët drejt Kryeministrisë, reagon ministrja e Brendshme: Dënojmë çdo inkurajim akti dhune nga opozita! Të rinjtë që përfshihen s’janë heronj e trima, por të keqpërdorur

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu dënon molotovët që u hodhën nga protestuesit drejt Kryeministrisë, menjëherë pas fjalës së Sali Berishës.

Në një reagim në rrjete sociale, ministrja thekson se dënon aktet e dhunës që inkurajohen nga drejtues të opozitës.

Sipas saj, të rinjtë dhe të miturit që përfshihen në këto akte dhune, nuk janë as heronj dhe as trima, “janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit.”

“Dhuna nuk është zgjidhje! Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve.“, thekson ajo.

Reagimi i ministres:

Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve.

Dhuna nuk është zgjidhje! Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve.

Ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit.