Moldavia akuzon Rusinë: Duan të përmbysin qeverinë tonë, të na ndalojnë nga anëtarësimi në BE

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka akuzuar Rusinë se planifikon të përdorë diversantë të huaj për të përmbysur qeverinë e vendit të saj, për ta ndaluar atë nga anëtarësimi në BE dhe për ta përdorur atë në luftën kundër Ukrainës.

Komentet e Sandu erdhën pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha javën e kaluar se vendi i tij kishte përgjuar planet e shërbimeve sekrete ruse për shkatërrimin e Moldavisë, pretendime që u konfirmuan më vonë nga zyrtarët e inteligjencës moldave.

“Plani për periudhën e ardhshme përfshin aksione me përfshirjen e diversionistëve me stërvitje ushtarake, të kamufluar me rroba civile, të cilët do të ndërmarrin aksione të dhunshme, do të sulmojnë disa ndërtesa shtetërore, madje do të marrin peng”, tha Sandu.

“Qëllimet e komplotit janë përmbysja e rendit kushtetues, ndryshimi i pushtetit legjitim nga Kishinau në një pushtet të paligjshëm, që do ta vinte vendin tonë në dispozicion të Rusisë, për të ndalur procesin e integrimit europian”, tha ajo.

Ajo shtoi se plani përfshinte shtetas të Rusisë, Malit të Zi, Bjellorusisë dhe Serbisë që hynin në Moldavi për të nxitur protesta në një përpjekje për të ndryshuar qeverinë legjitime në një qeveri të paligjshme të kontrolluar nga Federata Ruse.

Udhëheqësja moldav, vendi i së cilës kufizohet me Ukrainën, ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për synimet e Moskës ndaj ish-republikës sovjetike dhe për praninë e trupave ruse në rajonin separatist të Transdniestrisë.

“Përpjekjet e Kremlinit për të sjellë dhunë në vendin tonë nuk do të kenë sukses. Synimi ynë kryesor është siguria e qytetarëve dhe e shtetit. Qëllimi ynë është paqja dhe rendi publik në vend”, u zotua ajo.


Shtuar 13.02.2023 14:48