Modelja Olivia Yace njoftoi se po jep dorëheqjen nga posti i “Miss Universe Afrika” vetëm disa ditë pasi u rendit në pesë më të mirat në konkursin e bukurisë “Miss Universe” të këtij viti, i cili u mbajt në Bangkok.
Ajo përfaqësoi Bregun e Fildishtë dhe përfundoi në vendin e katërt.
“Si përfaqësuese e Bregut të Fildishtë në konkursin “Miss Universe 2025” në Bangkok, pashë nga afër se jam e aftë të arrij gjëra të mëdha pavarësisht vështirësive.
Megjithatë, për të vazhduar në këtë rrugë, duhet t’i qëndroj besnike vlerave të mia: respekti, dinjiteti, përsosmëria dhe mundësitë e barabarta janë cilësitë më të forta që më udhëheqin”, shkroi ajo.
Ajo gjithashtu deklaroi se dëshira e saj më e madhe është të jetë një model për brezat e ardhshëm, përkatësisht vajzat e reja.
“I inkurajoj ata të shtyjnë kufijtë e tyre, të hyjnë me besim në dhoma ku besojnë se nuk i përkasin dhe të përqafojnë me krenari identitetin e tyre”, shtoi tutje.
“Lënia e rolit të Miss Universe Afrika do të më lejojë të përkushtohem plotësisht mbrojtjes së vlerave që i konsideroj të shtrenjta. U bëj thirrje njerëzve me lëkurë të zezë, komuniteteve afrikane, karaibiane, amerikane dhe me prejardhje afrikane – vazhdoni të vini në hapësira ku nuk ju presin. Le të hapim rrugën për vëllezërit dhe motrat që do të na ndjekin. Mos lejoni kurrë që dikush të përcaktojë se kush jemi ose të kufizojë potencialin tonë. Prania jonë ka rëndësi dhe zërat tanë duhet të dëgjohen”, tha ajo.
