Mjekja pediatre Lira Gjika: Këto gabime të prindërve shqiptarë dëmtojnë fëmijët, pastaj ankohen pse s’janë të zotët e vetes

Jo pak herë prindërit ndikojnë në jetën sociale dhe emocionale të fëmijëve.

Kjo ndodh edhe pa dashur ose nën përkujdes të tepruar.

Mjekja pediatre, Lira Gjika, thotë se frikërat e vetë prindërve për të mos i lënë fëmijët e tyre të njohin, të prekin apo të ndjejnë vetë mjedisin, sipas saj mund të krijojnë probleme te fëmijët.

Sipas Gjikës, disa prej këtyre përkujdesjeve të tepruara ndikojnë që fëmijët të bëhen të ndrojtur e të heshtur.

“Ajo që e karakterizon edukimin tonë, është frika. Vishe se do të sëmuret, apo vishe se do ftohet. Ushqeje me zor se do të dobësohet. Mos e lër të hipi shkallët se do të rrëzohet. Mos e lër me biçikletë se do e shtypë makina. Mos e lër të laget se do të ftohet. Mund të vazhdohet pa fund, duke cituar frikërat e nënave dhe gjysheve, po për fat të keq edhe të baballarëve.

Ne të rriturit, e dimë veten si shpëtimtarët e fëmijëve, në fakt i i pengojmë dhe i bëjmë të paaftë për tu rritur e për ta njohur vetë mjedisin. Me këtë lloj pseudo-përkujdesje i pengojmë të fitojnë atë lloj zhdërvjelltësie fizike dhe psiko-emocionale që jep eksplorimi dhe arritja e një veprimi të bërë vetë.

Mirë që i pengojmë sepse kemi vetë frikë, por ajo që e bën këtë mënyrë edukimi të rëndë për fëmijën është etiketimi: “Ky mi, ky është i ngordhur”. Ose “ky është qullac,”. “Këtë e kalojnë të gjithë” dhe për ta mbyllur, pasi kanë numëruar epitetet, fillojnë dhe qeshin. Dhe pastaj pretendojmë, që fëmijët tanë të bëhen të rritur të zotët, të përgjegjshëm dhe me kurajë”, shkruan Lira Gjika në rrjetet sociale./albeu.com/