Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 20 fëmijë në Gaza, kanë vdekur nga uria dhe mjekët thonë se një numër i shtuar i tyre, po vuajnë nga sëmundje të rënda fizike dhe mendore.
Korrespondentët e Zërit të Amerikës nga Stambolli dhe Rafah në Rripin e Gazës, përgatitën materialin.
Fëmijët në Gaza, nuk kanë shkuar dot në shkollë që kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, por prindërit këto thonë se aktualisht ky është problemi më i vogël me të cilin përballen.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, mbi 12 mijë fëmijë kanë vdekur gjatë luftës dhe 20 të tjerë nga uria javët e fundit.
Mbi 17,000 të tjerë kanë humbur, ose janë ndarë nga prindërit.
Pothuaj se të gjithë fëmijët në Gaza, janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre dhe prindërit thonë se edhe ata fëmijë që janë në mesin e tyre për të cilët është ofruar kujdes i shtuar, janë të traumatizuar.
“Djali im është gjithmonë zgjuar gjatë natës, duke qarë. Më thotë se i mungon babai, se dëshiron të kthehet në shtëpi. Më thotë se dëshiron të jetojmë një jetë normale siç e kishim”, thotë Hekmat Almasri, një nënë në Gazë.
Shumica e popullatës 2 milionëshe të Gazës tani po strehohet në strehimoret e Rafahut, në afërsi të kufirit me Egjiptin.
Në këtë spital, mjekët pediatër thonë se secili fëmijë që e kontrollojnë po vuan nga ndonjë traumë psikologjike, ose fizike dhe nga pasojat e urisë.
“Secili prej tyre ka një frenim në rritje. Të gjithë janë të sëmurë. As nënat nuk kanë qumësht t’i ushqejnë foshnjet. Thonë që nuk po arrijnë të kenë qumësht dhe nuk kanë mundësi ta blejnë”, thotë doktor Saeed Abdulrahman Mahmour Marouf.
Disa fëmijë, thotë ai, mund t’i identifikojnë bombat, aeroplanët dhe kush nga familjarët e fqinjët e tyre kanë vdekur.
“Disa fëmijë vajtojnë dhe mbahen për prindërit e tyre pothuaj se gjatë tërë kohës. Shumë prej tyre kanë filluar të kenë halucinacione”.
Por ka ende fëmijë që shpresojnë se do të ribashkohen me të dashurit e tyre.
“Dua të kthehem në shtëpi”, thotë Abed Alrazeq Almasri, 12-vjeç.
Prindërit thonë se po u thyhet zemra, ndërkohë që shohin vuajtjen e fëmijëve të tyre.
“Nënat nuk mund t’iu përgjigjen pyetjeve të fëmijëve. Nuk mund t’i përmbushin nevojat e tyre, as për ushqim. Fëmijët kërkojnë mish, apo peshk, apo çokollatë e ëmbëlsirat që i kanë ngrënë dikur. Por tani nuk mund t’ua sigurojmë”, thotë Hekmat Almasri, një nënë në Gaza.
Izraeli thotë se nuk ka vendosur kufizime mbi sasinë e ndihmës që mund të futet në Gazë, ndonëse këmbëngul që të inspektojë të gjitha dërgesat për t’u siguruar që nuk po transportohen armë për Hamasin.
Izraeli po ashtu, akuzon Hamasin se po i ndryshon qëllimin e ndihmës për ta shfrytëzuar për pjesëtarët e vet.
Por organizata Amnesty International, akuzon ushtrinë izraelite se po zbaton kufizime të ashpra në futjen e ndihmës në këtë territor.
Kombet e Bashkuara, thonë se njerëzit kërcënohen nga uria gjithëpërfshirëse nëse procesi i futjes së ndihmës në Gaza nuk përmirësohet rrënjësisht.
Sipas tyre, përpjekjet për të futur ndihmë përmes ajrit apo detit, janë të mirëseardhura por nuk mund të zëvendësojnë fluksin e gjerë të ndihmës që duhet të bëhet përmes rrugës tokësore.