Mitsotakis takon Netanyahun: Greqia do të vazhdojë të mbështesë Izraelin

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ditën e sotme ka zhvilluar një vizitë në Izrael, ku është takuar me homologun e tij, Benjamin Netanyahu.

Ky i fundit ka shprehur vlerësimin e tij për solidaritetin e treguar nga qeveria greke për konfliktin Izrael-Palestinë.

Nga ana e tij, kryeministri grek deklaroi se Izraeli “mund të mbështetet te Greqia dhe ndihma e saj”.

“Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe shpresojmë që çfarëdo që të ndodhë të ndodhë pa kosto të mëdha humanitare”, tha Mitsotakis.

Dialogu mes dy kryeministrave

Benjamin Netanyahu: Zoti Kryeministër, miku im i dashur Kyriakos, jam shumë i lumtur që ju shoh këtu. Unë gjithmonë them se gjëja më e mirë përveç qëndrimit me Izraelin, është të jesh në Izrael. Në Izrael, siç bëni ju. Unë e vlerësoj solidaritetin tuaj, qeverinë tuaj dhe popullin grek, në këtë orë të errët. Është një betejë e qytetërimit kundër barbarisë. Ne jemi në anën e qytetërimit dhe të gjithë duhet të bashkohemi kundër Hamasit, që është Shteti Islamik (ISIS).

Kyriakos Mitsotakis: Faleminderit shumë zoti kryeministër. Unë vij këtu jo vetëm si një aleat, por si një mik i vërtetë. Ajo që ndodhi ishte vërtet e tmerrshme. Që në momentin e parë, Greqia mbrojti dhe mbështeti të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, sipas ligjit ndërkombëtar. Ne bëmë një dallim shumë të qartë midis Hamasit dhe popullit palestinez. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe shpresojmë se çfarëdo që të ndodhë duhet të ndodhë pa kosto të mëdha humanitare. Ju mund të mbështeteni në ndihmën tonë.

Benjamin Netanyahu: Faleminderit, miku im. Faleminderit.

/Albeu.com


Shtuar 23.10.2023 13:40