Anija që u ndalua në Tenerife të Spanjës me një sasi të madhe droge po kthehet në mister, ndërsa autoritetet vendase arrestuan 15 persona.
Mediet në Spanjë raportojnë se 4.5 ton kokainë, me një vlerë 180 milionë dollarë (165 milionë euro) u gjetën në anijen e mallrave “Blume” me flamur të Togos. Në të njëjtën kohë të njëjtat media raportojnë se anija është e një kompanie greke.
Autoritetet spanjolle bastisën anijen në brigjet afrikane të mërkurën dhe më pas e transferuan atë në portin e ishujve Kanarie të Santa Cruz de Tenerife. Autoritetet sekuestruan sasinë e drogës dhe arrestuan 15 anëtarët e ekuipazhit, dy shqiptarë dhe 13 pakistanezë.
Megjithatë, sipas informacioneve të protothema.gr, pronari i anijes praktikisht nuk dihet. Ndonëse kompania ka bazën në Greqi dhe thotë se ka zyra në Pire, në rrugën Filonos, ajo nuk ka dorëzuar dokumente sipas nenit 89 për shoqëritë administruese. Kjo do të thotë se anija është e panjohur në Greqi.
Si u zbulua droga
“Blume” ishte nisur nga Santos i Brazilit më 20 dhjetor për në Riga të Letonisë. Anija po lundronte pa gjurmë të pozicionit të saj nëpërmjet satelitit, por po monitorohej pas një informate nga policia spanjolle.
Në Trafikun Detar, vendi i fundit është më 17 janar (një ditë para zbulimit) jashtë Saharasë Perëndimore. Bastisja nga autoritetet spanjolle u zhvillua 193 milje detare nga porti i Santa Cruz de Tenerife.
Në një deklaratë, Ministria e Brendshme spanjolle theksoi se “Blume” kishte deklaruar se mbante 200 tonë kafe, një sasi shumë e vogël për përmasat e anijes.
Gjatë kontrollit, në ambientet e përbashkëta u gjetën pako me drogë. Më pas 15 anëtarët e ekuipazhit u arrestuan dhe anija u dërgua në portin e Tenerife./Albeu.com/