Me 76 vota pro të mazhorancës Kuvendi miratoi mbrëmjen e 27 majit Rezolutën për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin. Rezoluta, e propozuar nga vetë socialistët që më 7 maj, nuk mori asnjë votë opozitare. Rithemelimi, Partia Demokratike, Partia e Lirisë nuk morën pjesë në votim ndërsa nga rreshti opozitar dolën vetëm deputetët Agron Shehaj dhe Dashnor Sulaj që votuan kundër.
Megjithatë pavarësisht kundërshtisë së opozitës, mazhoranca e vënë përballë kërkesës së shefit të qeverisë për të nisur menjëherë nga puna, është duke shqyrtuar mundësitë procedurale për ngritjen e komisionit të Posaçëm për Antikorrupsionin dhe çuarjen në votim në seancën e ardhshme plenare, konkretisht të enjten (30 maj).
Rezoluta sipas Partisë Socialiste është një përpjekje e madhe, një koordinim dhe fuqizim i mëtejshëm i tre pushteteve kushtetuese, legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit, që do t’i japë një goditje të madhe korrupsionit dhe do të realizojë reformat për Shqipërinë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
Opozita nuk ka shprehur në asnjë rast se është kundër këtij komisioni, ndërsa ka artikuluar se së pari duhet parë objekti dhe qëllimi i tij, ndërsa nuk kanë munguar edhe akuzat që përmes ndryshimeve ligjore kërkohet të sulmohet SPAK. Sipas tekstit të rezolutës synimi është që Kuvendi të rrisë rolin e tij mbikëqyrës dhe llogarikërkues ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese.