Miratohet urdhri: Policët që kanë përdorur aplikacionet SkyECC apo EncroChat do përjashtohen

Rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës kanë afat 30 ditë për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit nëse kanë përdorur më herët aplikacionet që po tronditin botën e krimit, “SkyECC” dhe “EncroChat”.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla firmosi këtë të hënë urdhrin, i cili u kërkon të gjithë atyre që janë pjesë e strukturave të sigurisë të deklarojnë përdorimin e tyre në të shkuarën, nëse e kanë disponuar, shoqëruar me periudhën dhe arsyen e përdorimit.

Në fakt, çfarëdo lloj arsye të shkruajnë policët për përdorimin e aplikacioneve “SkyECC” dhe “EncroChat” do t’iu kushtoj detyrën pasi do të përjashtohen menjëherë nga struktura.

Formulari është me 3 faqe dhe përveç të dhënave personale dhe gradës që mbanë efektivi, të renditura janë 3 pyetje, 2 të parat për përdorim të veçantë të 2 aplikacioneve dhe e fundit për përdorim të përbashkët.

Urdhri i ministrit Balla është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera në varësi, pas arrestimit të disa efektivëve që rezultuan se ishin “zaret” e grupeve kriminale, duke u përfshirë jo vetëm në shpërdorim detyre por edhe si bashkëpunëtorë të grupeve të strukturuara.

Mbetet e paqartë si plotësimi i këtij formulari nga ana e efektivëve do t’i shërbej procesit të pastrimit të policisë, duke pasur parasysh që një pjesë e përdoruesve të tyre mund të mos jenë të identifikueshëm pasi regjistrimi në aplikacionet “SkyECC” dhe “EncroChat” është me kode. Mbetet në riskun e policëve të japin deklarim të rremë ose jo në formularë, pasi gjithsesi një pjesë e atyre që e kanë përdorur mund të edhe t’i shpëtojnë filtrit të SPAK, duke mos u identifikuar.

Mbi të gjitha, të dy këto aplikacione komunikimi, në vetvete, gjatë kohës që kanë qenë në funksion, nuk kanë qenë të paligjshëm, përtej përdorimit të tyre nga grupet kriminale, i cili në fakt solli në vijimësi edhe rënien përfundimtare të tyre. Deri më tani, janë 3 dosje të SPAK ku ka të përfshirë policë që ose janë vetë ata në këto aplikacione, ose diskutohet për ta.

E para ishte dosja e grupit të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, e dyta ishte “Metamorfoza” ku u godit ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe së fundmi shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni. SPAK, deri më tani, ka rreth 70 policë që po i heton, emrat e të cilave janë shfaqur në “SkyECC” dhe “EncroChat”.

 

 


Shtuar 4.12.2023 19:56