Moratoriumit i Gjuetisë është zgjatur 5 vite.
Ky ishte vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave, i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Ndër të tjera, sqarohet se qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.
E plotë:
P R O J E K T L I GJ PËR SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.
Neni 2
Objekti dhe fusha e veprimit
Ky ligj përcakton rregullat që do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 3
Pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër
Përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet.
Kontratat për mbarështimin e faunës së egër janë të vlefshme, por edhe në këto zona, ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.
Neni 4
Përjashtim nga fusha e veprimit
Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2, të këtij ligji:
- a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë;
- b) gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore.
Përjashtimi i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.
Neni 5
Afati i zbatimit
Afati i zbatimit të këtij ligji është 5 (pesë) vjet nga data e hyrjes së tij në fuqi.
Neni 6
Organet e kontrollit
Organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:
- a) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon;
- b) Ministria e Brendshme, nëpërmjet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit;
- c) strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki.
Veprimtaria kontrolluese, sipas këtij neni, ushtrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
Të drejtën e vendosjes së gjobës e kanë strukturat, që janë përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.
Shqyrtimi e marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
Neni 7
Sanksionet
Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:
- a) Kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) – 1 000 000 (një milion) lekë;
- b) Kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë.
Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”./albeu.com/