Që nga momenti kur kryeministri Edi Rama e paralajmëroi në Asamblenë Kombëtare të PS-së, krijimi i ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, “Diella”, ka ngjallur jehonë të madhe mediatike. Por sot, kjo figurë virtuale mori një dimension zyrtar, pasi Presidenti Bajram Begaj nënshkroi dekretin që i jep Ramës të drejtën për formimin e qeverisë së re.
Në dekret theksohet se përgjegjësia për ngritjen dhe funksionimin e këtij ministri i takon vetë kryeministrit Rama:
“Kryeministri ushtron edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale ‘Diella’”, – shkruhet në dekretin e Presidentit.
Kjo ka hapur menjëherë debatin nëse një vendim i tillë bie ndesh me Kushtetutën. Pyetja që ngrihet është e qartë: a mund të zgjidhet ministër një produkt i Inteligjencës Artificiale?
Kushtetuta jep një përgjigje të prerë: Jo.
Sipas nenit 45, ligjvënës mund të zgjidhet çdo shtetas mbi 18 vjeç, me kapacitet të plotë mendor dhe me figurë të pastër penale. Po ashtu, neni 103 përcakton se ministër mund të emërohet vetëm dikush që ka cilësitë për deputet.
Në asnjë nen të Kushtetutës nuk parashikohet që një subjekt virtual, apo një produkt teknologjik, të ketë të drejtën e përfaqësimit si deputet apo ministër. Kësisoj, dekretimi i “Diellës” si ministre virtuale shihet si një shkelje e hapur e Kushtetutës.
Ndërkohë, dekretin e Begajt, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi e ka quajtur qesharak dhe antikushtetues, duke nxjerrë edhe nenet në Kushtetutën e vendit, ku përcaktohet qartë se kush mund të vendoset Ministër.
Pas reagimeve në media, Presidenca ka dalë me sqarim, duke theksuar se sot është dekretuar vetëm kryeministri Rama dhe se ‘Diella’ do të jetë në funksion të tij.
Me anë të një njoftimi, Presidenca thekson se sot është deklretuar vetëm kryeministri dhe asnjë ministër. Ndërkohë që shton se ‘Diella’ është funksion që i ka kaluar kryeministrit Rama.
Reagimi i Presidencës:
Sot Presidenti i Republikës ka dekretuar vetëm Kryeministrin. Ministrat do të dekretohen në një ditë të mëvonshme. Baza kushtetuese e dekretit ndodhet në rreshtin hyrës të tij.
Dekretimi i Kryeministrit bëhet sipas propozimit të partisë fituese në zgjedhje. Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik, gjithashtu sipas të njëjtit propozim. Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene. /albeu.com/