Ministrja Balluku udhëtim me tren nga Zyrihu në Bern: Do bashkëpunojmë me Zvicrën për rrjetin hekurudhor në Shqipëri

Zëvendës/kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, ka zhvilluar një udhëtim me tren nga Zyrihu në Bern të Zvicrës.

Përmes një prononcimi për qytetarët, Balluku shprehet se Qeveria shqiptare është duke bërë plane për një bashkëpunim të ngushtë edhe me hekurudhën zvicerane në të ardhmen, përsa i përket zhvillimit të transportit hekurudhor, duke nisur sipas saj me projektin e parë, atë nga Tirana në Durrës.

Balluku premtoi se në të ardhmen, përmes korridoreve hekurudhore europiane, qytetarët do të mund të udhëtojnë me tren nga Zvicra në Shqipëri.

Shumë mirë do ishte që të bënim rrugëtimin me tren nga Zvicra në Shqipëri dhe do ta bëjmë në të ardhmen përmes korridoreve hekurudhore europiane ku Shqipëria do të bëhet pjesë, ashtu siç po bëhet dhe me autostradat, por sot jemi në një udhëtim me skuadrën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe atë të Hekurudhës Shqiptare për të bërë një takim bilateral me Ministrin Federal për Transportin, Energjinë dhe Mjedisin, këtu në Zvicër.

Po bëjmë një udhëtim nga Zyrihu në Bern duke provuar kështu edhe efikasitetin, efiçencën që hekurudha ka dhe duke bërë plane për një bashkëpunim të ngushtë edhe me hekurudhën zvicerane në të ardhmen përsa i përket zhvillimit të transportit hekurudhor, duke nisur me projektin e parë, atë nga Tirana në Durrës.


Shtuar 24.10.2025 16:30