Serbia insiston që vetëm pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, të dislokohen në kufi, në anën e Kosovës.
Kështu u tha pas takimit që ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, zhvilloi më 25 tetor me homologun e tij turk, Jashar Guler.
Turqia ka marrë komandën e KFOR-it në tetor.
“Ne fuqishëm inkurajojmë një komunikim të drejtpërdrejtë mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe komandantit të KFOR-it dhe ne insistojmë që vetëm pjesëtarët e KFOR-it të jenë të pranishëm përgjatë vijës administrative nga ana e ‘Kosovës dhe Metohisë’. Po ashtu të vazhdojnë patrullimet e përbashkëta të pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe me ata të KFOR-it përgjatë vijës administrative”, tha Vuçeviç.
Serbia, që nuk e njeh Kosovën, e quan vijë administrative vijën kufitare me Kosovën.
Kufiri i Kosovës me Serbinë ruhet nga Policia Kufitare e Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it.
Vuçeviç tha se siguria në Kosovë “ishte tema kryesore e bisedës” me homologun e tij turk.
“Ne jemi të inkurajuar nga garancitë që morëm nga zoti Guler lidhur me sigurinë e komunitetit serb”, shtoi ai.
Sipas njoftimit, Vuçeviç ka përsëritur qëndrimin e Beogradit se serbët në Kosovë “nuk kanë problem me praninë e pjesëtarëve të KFOR-it dhe prania e tyre ulë tensionet dhe çon drejt shtensionimit”.
Raportet midis Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më shumë pas sulmit të një grupi të armatosur të serbëve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Për Radoiçiçin, Prishtina ka paraqitur edhe incizime me dronë ku shihet duke marrë pjesë në sulmin në Banjskë, që Kosova e cilëson sulm terrorist. Serbia ka thënë se nuk do ta ekstradojë atë në Kosovë. Aktualisht ai është duke u hetuar edhe në Kosovë edhe në Serbi, por për krime të ndryshme.
Pamje të publikuara nga Qeveria e Kosovës të vendit ku u sulmua Policia e Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Turqia ka raporte intensive diplomatike me Kosovën dhe është një prej investitorëve më të mëdhenj në të dyja shtetet. Kosova dhe Turqia kanë po ashtu bashkëpunim ushtarak dhe Prishtina ka blerë armë nga Ankaraja për Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ky bashkëpunim është kritikuar nga Serbia.
Gjatë takimit me ministrin turk, Vuçeviq po ashtu ka folur për armatosjen e FSK-së nga Turqia.
“Jam i kënaqur, nuk them me premtimet apo garancitë, por me mesazhet që morëm nga Guleri lidhur me armatosjen e FSK-së”, tha Vuçeviç
Ndërkaq, Guler tha se Turqia mbështet paqen, stabilitetin dhe pjesëmarrjen e shteteve të Ballkanit në organizata ndërkombëtare, por edhe anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Ai shtoi se Turqia vlerëson se dialogu është mënyra e vetme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Shteti ynë, që ka marrë komandën e KFOR-it, do të vazhdojë t’i japë prioritet stabilitetit, sigurisë dhe rendit”, tha Guler./re