Ministria e Bujqësisë urdhëron audit në AZHBR/ Detaje të reja nga projekti që aplikoi babai dhe ia firmosi e bija inspektore

Një ditë pasi Top Channel publikoi rastin e miratimit te një projekti 280 milionë leke nga AZHBR nen dyshimet e konfliktit te interesit, Ministria e Bujqësisë ka ngritur një audit të brendshëm për të hetuar abuzimet e mundshme me fondet publike.

Bëhet fjalë për projektin, ku drejtoresha e përgjithshme e AZHBR, Ardita Kuçi, firmos kontratën për subjektin Bënja SHPK, projekt i realizuar nga inxhinieri Ylli Ago dhe që përfshin një investim prej 28,830,911 lekëve të reja për të ngritur stallë lopësh në Kuçovë të Beratit.

Ky projekt u pranua dhe u inspektua nga vajza e inxhinierit, Ana Ago që në AZHBR mban postin e Inspektores pranë Drejtorisë së Përzgjedhjes së Pranimit të Projekteve. Më anë të thirrjes së Skemës Kombëtare për Investim Ardit Bënja, u shpall fitues dhe mori si grant 50% të investimit, pra 14.415.455 lekë të reja. Ardit Bënja, nuk është vetëm fermer por edhe drejtues i FRPD në Kuçovë.

E ndërsa pritej që AZHBR të jepte sqarime për këtë rast, drejtuesja e këtij institucioni ka zgjedhur që faktet dhe dokumentet e paraqitura nga Top Channel t’i konsideroje si fushate sulmesh.

“Në transparencë për publikun AZHBR bën me dije se prej kohësh është bërë objekt fushate të koordinuar lajmesh të rreme. AZHBR i është drejtuar zyrtarisht organeve kompetente.”

Ndërkohë Top Channel mëson një tjetër detaj që përforcon dyshimet për nepotizëm në rastin e projektit të fituar nga subjekti Bënja. Inspektorja Ana Ago, jo vetëm që është vajza e inxhinierit që ka miratuar projektin, por mësohet se ka lidhje familjare edhe me vete drejtoreshën e AZHBR, Ardita Kuçi. Kjo shpjegon edhe pse Ardita Kuçi e shpalli histori suksesi projektin e krushkut të saj./Top Channel


Shtuar 25.11.2025 22:32