Ministri ukrainas: Grupi “Wagner” është shpërbërë, nuk janë më forcë serioze

Organizata paraushtarake Wagner është shpërbërë, tha sot ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov në një intervistë të transmetuar sot, pas vdekjes së liderit të saj Yevgeny Prigozhin.

“Organizata Wagner nuk ekziston realisht, si një forcë serioze ushtarake, siç ishte një vit më parë. Ajo është shpërbërë”, tha Reznikov në një intervistë me gazetën gjermane të së dielës Welt am Sonntag.

Sipas ministrit ukrainas, vdekja e Prigozhin “dobësoi” presidentin rus Vladimir Putin.

“Meqë kjo i tregoi botës se nëse Putin bën një marrëveshje me dikë dhe më pas e thyen atë, atëherë askush nuk mund t’i besojë atij”, shtoi Reznikov, sipas fragmenteve të intervistës të publikuar paraprakisht.

Pas vdekjes së supozuar të Prigozhin në një aksident avioni në Rusi, thashethemet kanë vërshuar për një përfshirje të mundshme të Kremlinit në rrëzimin e avionit privat midis Moskës dhe Shën Petersburgut. Këto pretendime u mohuan nga zëdhënësi i presidentit rus, i cili i cilësoi ato si “gënjeshtra absolute”.

Putin e kishte cilësuar Prigozhin, të cilin e njihte që nga fillimi i viteve 1990, si tradhtar për kryengritjen e tij të armatosur të 23-24 qershorit.

Prigozhin i dha fund rebelimit të tij pasi një marrëveshje me Kremlinin e pa atë të internuar me njerëzit e tij në Bjellorusi.


Shtuar 25.08.2023 19:44