Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës: Ne jemi një anëtar “de facto” i NATO-s

Ukraina është bërë një anëtare de fakto e aleancës ushtarake të NATO-s, thotë ministri ukrainas i Mbrojtjes, ndërsa vendet perëndimore, dikur të shqetësuara se ndihma ushtarake mund të shihet si një përshkallëzim nga Rusia, ndryshojnë “qasjen e tyre të të menduarit”.

Në një intervistë me BBC, Oleksii Reznikov tha se ishte i sigurt se Ukraina do të merrte armë të kërkuara prej kohësh, duke përfshirë tanke dhe avionë luftarakë, pasi Ukraina dhe Rusia duket se po përgatiten për ofensiva të reja në pranverë.

“Ky shqetësim për nivelin e ardhshëm të përshkallëzimit, për mua, është një lloj protokolli,” tha Reznikov.

“Ukraina si vend, dhe forcat e armatosura të Ukrainës, u bënë anëtare e NATO-s. De fakto, jo de jure [me ligj]. Sepse ne kemi armatim dhe kuptojmë se si t’i përdorim ato.”

Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar pushtimin e tij në Ukrainë si një betejë ekzistenciale kundër vendeve perëndimore që duan të dobësojnë Rusinë.

Figura ruse kanë argumentuar se po luftojnë NATO-n në Ukrainë, pasi Perëndimi e ka furnizuar vendin me armë në atë që ata e quajnë një luftë agresioni.

Ukraina, prej vitesh, ka kërkuar t’i bashkohet aleancës ushtarake midis SHBA-së, Kanadasë dhe 28 vendeve evropiane, diçka që Presidenti Vladimir Putin e ka përshkruar si një kërcënim sigurie për Rusinë./Albeu.com/


Shtuar 13.01.2023 10:24