Ministri i Jashtëm grek Niko Dendias ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Serbi. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri me dije se me Dendias ka biseduar për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy kombeve.
Në llogarinë në Instagram, Vuçiç ka falënderuar Dendias për qëndrimin e Greqisë, si dhe për angazhimin e tij personal, kur bëhet fjalë për mbështetjen e dialogut dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.
“Përfitova nga dita e bukur në Beograd për të pritur ministrin me të cilin biseduam për situatën në rajon, vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe diskutuam për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona. E falënderova mikun tonë për qëndrimin parimor të Greqisë, si dhe për përfshirjen e tij personale, kur bëhet fjalë për mbështetjen e dialogut, respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe avokimin për përparimin e Serbisë në rrugën e integrimit evropian,” shkruan Vuçiç.
Ndërkohë që ministri i Jashtëm grek ka reaguar përmes një postimi në Twitter, ku thekson se e përgëzoi presidentin serb për marrëveshjen e aritur në Ohër mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Jam pritur sot nga presidenti i Serbisë, Vuçiç, në Beograd. E përgëzova për marrëveshjen e fundit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të arritur në Ohër.
Përsërita mbështetjen e vendosur të Greqisë për përpjekjet e BE-së për përparimin e mëtejshëm të dialogut Beograd-Prishtinë, me qëllim të përfundimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme. Ne diskutuam gjithashtu zhvillimet rajonale dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Dendias./Albeu.com/