Ministrat e mbrojtjes të SHBA-së dhe Rusisë diskutojnë mbi luftën në Ukrainë

Të premten më 21 tetor, sekretarët e mbrojtjes së SHBA-së dhe Rusisë zhvilluan një bisedë telefonike, në një moment të rrallë kontakti të nivelit të lartë midis dy vendeve që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

Si SHBA-ja ashtu edhe Rusia konfirmuan se sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologu i tij rus Sergei Shoigu diskutuan për situatën në Ukrainë.

Pas telefonatës së të premtes, Pentagoni bëri të ditur se Austin kishte “theksuar rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit në mes të luftës së vazhdueshme kundër Ukrainës”.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se “u diskutuan çështjet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe situatën në Ukrainë”.

Pas bisedës së tyre të mëparshme në maj, Austin i kërkoi homologut të tij të vendoste një armëpushim të menjëhershëm – një kërkesë që nuk u përmend këtë herë.

Biseda e dy zyrtarëve erdhi në kohën pas aludimeve të presidentit rus Vladimir Putin se ai mund të jetë i gatshëm të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, dhe paralajmërimet nga presidenti i SHBA-së Joe Biden, nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

Marrëdhëniet tashmë të ftohta midis SHBA-së dhe Rusisë u përkeqësuan edhe më shumë që nga pushtimi i Ukrainës.

Udhëheqësit e të dy vendeve patën një takim në mesin e vitit 2021, i cili u pa si një hap pozitiv drejt një marrëdhënieje më të mirë. Por ky progres ngeci pasi tensionet u përshkallëzuan mbi Ukrainën.

Putin dhe Biden zhvilluan disa telefonata në muajt para luftës, në të cilat presidenti amerikan paralajmëroi homologun e tij rus të tërhiqej nga planet e pushtimit. Që nga muaji shkurt, kur nisi agresioni ushtarak i Rusisë, nuk ka pasur asnjë bisedë mes liderëve të dy vendeve.

Rusia ka dënuar publikisht SHBA-në dhe Perëndimin mbi përpjekjet për të ndikuar në luftë duke furnizuar me armë dhe ndihma të tjera Ukrainën./REL


Shtuar 22.10.2022 07:24