Minatorët e Spaçit në ditën e 17-të të protestës, drejtuesit e kompanisë i kërcënojnë me largim nga puna

Ditën e sotme, protesta e minatorëve të Spaçit ka hyrë në ditën e saj të 17-të, ndërsa kompania ende nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar ndaj kërkesave të tyre.

Sipas burimeve nga terreni, situata mbetet e tensionuar. Punëtorët denoncojnë se drejtuesit e kompanisë po ushtrojnë presion mbi ta dhe kanë përgatitur zarfet e largimit nga puna për disa prej minatorëve pjesëmarrës në protestë.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, minatorët janë të vendosur të mos tërhiqen dhe të vazhdojnë grevën derisa të marrin një përgjigje për kërkesat e tyre, që lidhen kryesisht me përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të mëtejshëm të protestës nëse heshtja e kompanisë vazhdon.


Shtuar 28.10.2025 09:03