Sipas një raporti të publikuar të enjten nga Qendra e Monitorimit të Zhvendosjes së Brendshme të Këshillit Norvegjez të Refugjatëve, lufta në Ukrainë shtyu që totali i njerëzve të zhvendosur nga konfliktet ose fatkeqësitë natyrore, të arrijë një rekord të ri prej 71.1 milionësh, vitin e kaluar.
Deri në fund të vitit 2022, 5.9 milionë njerëz ishin detyruar të lëviznin brenda Ukrainës për shkak të pushtimit të Rusisë, duke e çuar totalin global të njerëzve të zhvendosur brenda vendit nga konflikti dhe dhuna në më shumë se 62 milionë, një rritje prej 17% që nga viti 2021.
Siria kishte 6.8 milionë të zhvendosur nga konflikti pas më shumë se një dekade lufte civile.
Numri i njerëzve të zhvendosur brenda vendit të tyre në fund të vitit, për shkak të fatkeqësive si përmbytjet dhe uria arriti në 8.7 milionë, rreth 45% më shumë nga viti 2021.
Zhvendosja e brendshme u referohet njerëzve që detyrohen të lëvizin brenda kufijve të vendit të tyre dhe raporti i Qendrës së Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme nuk ka marrë parasysh ata që janë larguar në vende të ndryshme.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha këtë javë se 700,000 njerëz tashmë janë zhvendosur brenda disa javësh nga konflikti në Sudan.
Qendra e Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme përmendi ciklin natyror të motit La Nina, i cili vazhdoi për të tretin vit radhazi në vitin 2022, si një faktor kryesor në zhvendosjet nga fatkeqësitë.
Ai kontribuoi në nivelet rekord të zhvendosjes së përmbytjeve në Pakistan, Nigeri dhe Brazil dhe në thatësirën më të keqe të regjistruar në Somali, Keni dhe Etiopi, thuhet në raport.
“Kishte një stuhi konfliktesh dhe fatkeqësish natyrore në vitin 2022, duke çuar në zhvendosje në një shkallë të paparë më herët”, tha Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve./rel/