Vazhdojnë sulmet kundër Kievit. Në një intervistë presidenti ukrainas, Zelensky ka bërë fjalë se deri tani kanë humbur jetën në luftë 2500 deri në 3000 ushtarë ukrainas.
Në kryeqytetin Kiev është sulmuar një fabrikë ukrainase që prodhonte tanke e janë shkatërruar pjesë të saj. Njoftimi erdhi nga Ministria e Mbrojtjes ruse përmes rrjetit Telegram.
Kurse kreu i bashkisë së Kievit, Vitali Klitshko raportoi në rrjetet sociale, se ka pasur disa shpërthime. Një person është vrarë dhe disa janë plagosur. Edhe nga Lvivi njoftohet për shpërthime.
Në sulmin rus kundër Ukrainës, sipas të dhënave të Kievit kanë humbur jetën rreth 2500 deri në 3000 ushtarë ukrainas. Të dhënat i bëri të ditura presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për televizionin, CNN.
Zelensky raportoi për rreth 10.000 ushtarë të plagosur nga pala ukrainase dhe se nuk dihet, se sa nga ata do të mbijetojnë. Zelensky i theksoi këto shifra për të theksuar se nga pala ruse ishin vrarë ndërkohë 20.000 ushtarë rusë.
Vlerësimet perëndimore bëjnë fjalë për disa mijë ushtarë të vrarë rusë, kurse Moska ka bërë fjalë vetëm për 1350 ushtarë të vrarë në radhët e veta.
Presidenti ukrainas duke përmendur të afërmit e viktimave u shpreh, se si baba është shumë e dhimbshme, kur prindërit humbasin një fëmijë, “Kjo të dhemb shumë. Kjo është një tragjedi.” Por ai theksoi, se nuk duhet ta shohë këtë si baba, sepse “pas kësaj ti do vetëm hakmarrje dhe vrasje.” Ai duhet ta vështrojë këtë si presidenti i një vendi, ku kanë humbur jetën shumë vetë dhe shumë të afërm kanë humbur të dashurit e tyre, por që ka miliona tët tjerë që “duan të jetojnë”. “Ne duam të luftojmë, por të gjithë duam të japim më të mirën, që kjo luftë të mos zgjasë pa fund.”
Përditë viktima në rrethinat e Kievit
Sipas të dhënave të policisë ukrainase në rrethinat e Kievit pas tërheqjes së trupave ruse janë zbuluar më shumë se 900 kufoma civilësh. Shumica prej tyre janë qëlluar.
Kjo është një shenjë, se njerëzit thjesht “janë ekzekutuar”, thuhet nga policia ukrainase. Viktimat janë lënë në rrugë ose janë varrosur provizorisht, citon agjencia e lajmeve, AP kreun e policisë së Kievit, Andrey Nebitov. 95% e viktimave kanë ndërruar jetë nga plagët e goditjes me armë.
Sipas Nebitov përditë gjenden kufoma nën rrënoja dhe në varreza masive. Shumica e viktimave janë gjetur në Butsha. Aty u zbuluan kufomat e 350 civilëve.
Qeveria ruse ka dërguar nota proteste në disa vende perëndimore për shkak të furnizimeve me armë drejt Ukrainës. Mes tyre edhe SHBA, bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Saharova të premten për agjencinë Interfax.
Sipas “Washington Post” qeveria në Moskë paralajmëron në një notë proteste tek qeveria amerikane se furnizime të tilla me armë mund të kenë “pasoja të paparashikueshme”./DW/