Mijëra të vdekurit nga tërmeti në Turqi mund të jenë më shumë se thjesht një fatkeqësi natyrore

Nga Asli Aydintasbas “Washington Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në vitin 1999 po vizitoja Stambollin kur qyteti u godit nga një tërmet i madh. Nuk do ta harroj kurrë atë që përjetova. Në fillim një uturimë e fortë që vinte nga thellësia e tokës e pasuar nga lëkundje të forta që sollën shumë shkatërrime mbi tokë. Vdiqën më shumë se 17.000 njerëz, dhe u plagosën mbi 40.000 të tjerë.

Ajo ishte një tragjedi e tmerrshme natyrore. Megjithatë, shumë shpejt u bë e qartë se edhe gabimi njerëzor luajti një rol të madh në numrin e madh të viktimave. Edhe pse Turqia është e pozicionuar në një zonë me sizmicitet të lartë, shumë pak ndërtesa ishin projektuar duke marrë parasysh përballimin e tërmeteve të fortë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 që tronditi pjesën më të madhe të Turqisë jugore mëngjesin e së hënës, dhe që ka vrarë mijëra njerëz, mund të rezultojë të jetë më i madhi që ka përjetuar vendi. Sipas të gjitha të dhënave ishte një tërmet i përmasave apokaliptike.

Qindra godina u shembën, tubacionet e gazit natyror shpërthyen në flakë, aeroportet u shkatërruan, autostrada u ndanë në mes. Natyra është barazuesi më i madh. Në temperatura shumë të ulëta, nën rrënoja përfunduan mijëra turq dhe kurdë, qytetarë dhe refugjatë sirianë, të pasur dhe të varfër, alavitë dhe sunitë.

Disa vdiqën aty ku ishin, ndërsa të tjerët prisnin me durim shpëtimin. Këto janë ditë të shpëtimit të sa më shumë jetëve dhe të zisë kombëtare dhe jo të tregimit me gisht të fajtorëve. Turqia është në një gjendje të jashëzakonshme.

Pavarësisht dyshimit karakteristik të shtetit ndaj agjencive të huaja të ndihmës dhe dëshirës së qeverisë për t’u dukur sikur e ka gjithçka nën kontroll, Ankaraja bëri menjëherë thirrje për mbështetje ndërkombëtare. Dhe kjo ishte thirrja e duhur.

Tërmeti i parë, i pasuar nga një i dytë me një magnitudë pothuajse të barabartë, ishte tepër i fortë sipas çdo lloj standardi matës. Shembja e ndërtesave që ndodheshin mbi vijën ku ndodhi shkëputja e madhe e pllakave tektonike ishte ndoshta diçka e pashmangshme. Megjithatë në mbarë rajonin që u godit më shumë, kishte shumë struktura të tjera që qëndruan të patundura, duke shpëtuar jetën e banorëve të tyre, ndërsa të tjerat në vendin fqinj u shkërmoqën, gjë që tregon se ishin praktikat e çrregullta të ndërtimit shkaku kryesor i vdekjes.

Sigurisht, do të na duhet kohë për të kuptuar plotësisht shkallën në të cilën dështimet njerëzore mund të kenë kontribuar në humbjen e jetëve. Por të dhënat e hershme ngrenë jo pak pikëpyetje. Në vitin 1999, ne e mësuam shpejt se nuk ishte vetë tërmeti, por blloqet e betonit të krijuara nga njeriu ato që i vrasin njerëzit.

Përgjegjës për këtë u bënë kompanitë e ndërtimit që kishin përdorur materiale të lira, zyrtarët që nuk arritën të zbatonin kodet e ndërtimit relativisht liberale në Turqi, dhe një qeveri që nuk kishte arritur të zhvillonte një strategji mbarëkombëtare kundër tërmeteve.

Ironikisht, ishin këto arsyet që tërmeti i vitit 1999 frymëzoi një dëshirë të madhe tek turqit për ndryshimin e qeverisjes, dhe nga e cila përfitoi Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Kur erdhi në pushtet në vitin 2002, AKP ishte e përqëndruar shumë tek reformat dhe pasjen e lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian.

BE dha shumë fonde për ndërtimin e shkollave më të sigurta dhe ndërtesave të tjera publike në përputhje me kodet evropiane të ndërtimit. Megjithatë, teksa Erdogan e ka zgjeruar pushtetin e tij (dhe ndërsa është zbehur ëndrra evropiane e Turqisë), ka rënë edhe interesi i qeverisë për të përmbushur normat evropiane të sigurisë.

Në vitin 2018, gati dy dekada pas tërmetit të fortë të 1999-ës, Turqia miratoi më në fund  legjislacionin e shumëpritur për tërmetet. Por këto rregulla janë zbatuar më shumë duke u shkelur sesa respektuar. Erdogan e ka përshkruar shpesh industrinë e ndërtimit si “xhevahirin e kurorës” së ekonomisë turke, duke inkurajuar në heshtje mungesën e mbikëqyrjes.

Tenderat e mëdha publike të Turqisë priren t’u shkojnë të njëjtëve miq të qeverisë.

Pra bëni atë që dëshironi me to. Një nga kritikët më të shquar turq të mentalitetit tonë kaotik të zhvillimit është Tayfun Kahraman, një planifikues urban i burgosur nga qeveria për rolin e tij në protestat urbane të vitit 2013 kundër përpjekjes së qeverisë për ta kthyer në një qendër tregtare një park të qytetit të Stambollit.

Kahraman u dënua me 18 vjet burg në të njëjtin rast që çoi pas hekurave filantropin Osman Kavala. Menjëherë pas publikimit të lajmit për tërmetin, ai shkroi në Twitter nga qelia e tij: “Prioriteti është të shpëtojmë jetë, të plotësojmë nevojat e menjëhershme të njerëzve dhe të organizojmë solidaritetin tonë. Kërkimi i llogarisë për ndërtesat publike, spitalet, rrugët dhe aeroportet e rrënuara do të vijë më pas.”

Me më të mirët dhe më të aftët e Turqisë që janë ose të burgosur ose të mënjanuar, një frymë mediokriteti ka depërtuar në qeverisjen aktuale të vendit. Fatkeqësia natyrore është njëri aspekt i kësaj ngjarje. Aspekti tjetër është mbështetja e Turqisë tek rritja ekonomike e nxitur nga ndërtimi, nepotizmi dhe vullneti për të injoruar standardet e veta të ndërtimit. E para ishte e pashmangshme. A çoi e dyta në një numër më të madh viktimash nga sa mund të ishte ndryshe?

Më së paku populli turk do të ketë çdo të drejtë të kërkojë një hetim të plotë pikërisht për këtë çështje. Këto janë ditë zie kombëtare, mbështetje dhe solidariteti. Unë jam e prekur nga uniteti dhe solidariteti që kam parë tek i gjithë kombi im: njerëzit rrinë në radhë për të dhuruar gjak, duke u përpjekur dëshpërimisht që të ndihmojnë njëri-tjetrin. Por do të vijë një ditë edhe për të bërë disa pyetje dhe për të kërkuar llogari. /albeu.com

Shënim:Asli Aydintasbas ish-gazetare nga Turqia, bashkëpunëtore në think-tankun me seli në Uashington “Brookings Institute”.


Shtuar 9.02.2023 11:46