Ditën e sotme, pas një muaji agjërimi e sakrificash, besimtarët myslimanë shqiptarë festuan sot Fitër Bajramin me faljen e namazit në “Sheshin Skënderbej” në Tiranë.
Mijëra besimtarë shqiptarë, kryen faljen e namazit që nisi në orën 07:30 në të gjitha qytetet nëpër xhami dhe sheshe kryesore.
Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Kremtimet e Fitër Bajramit, shënojnë edhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku familjarë e miq mblidhen bashkë për lutje dhe për të ngrënë drekën e Fitër Bajramit.
Për shumë besimtarë muaji i shenjtë i Ramazanit, përbën në vetvete një kohë reflektimi dhe lutjesh.
Agjërimi, tipari kryesor i tij, është një prej 5 shtyllave të Islamit dhe një moment shpirtëror për myslimanët anembanë botës që të fokusohen tek vetëpastrimi, qetësia, durimi dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Këto janë edhe pamjet me dron nga sheshi, ku mijëra besimtarë falën namazin nën drejtimin e kreut të KMSH, Bujar Spahia.
Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.