Meteorologia zbulon si do të vijojë parashikimi i motit gjatë muajit shtator

Meteorologia e njohur Lajda Porja, ka zbuluar se si do të jetë moti gjatë muajit shtator. Pavarësisht se jemi në mesin e shtatorit, moti vijon të ruajë karakterin veror.

Ajo bëri të ditur se kjo javë do të jetë kryesisht e qëndrueshme, me temperatura të larta dhe mot të kthjellët në pjesën më të madhe të vendit.

“Vijon ende atmosfera e verës edhe pse jemi në mesin e shtatorit. Java parashikohet të jetë e qëndrueshme, por nga e mërkura do të kemi vranësira dhe reshje të pakta, vetëm në skajin verior të vendit. Në fundjavë do rikthehen ditët me diell”, u shpreh Porja për Euronews Albania.

Sipas saj, temperaturat e ajrit kanë qenë 4-5 gradë më të larta se mesatarja sezonale.

“Sot, termometri do të shënojë deri në 23°C, ndërsa nesër pritet të ngjitet në 33°C. Të mërkurën do të kemi një rënie të lehtë në 30°C, por nga e enjtja dhe e premtja temperaturat do të rriten sërish, duke kulmuar në fundjavë me vlera deri në 35°C – tipike për stinën e verës”.

Për të gjithë ata që planifikojnë të frekuentojnë bregdetin, meteorologia siguroi se do të jetë një kohë mjaft ideale për pushime.

Sa i përket rajonit, edhe pjesa më e madhe e Ballkanit do të mbetet nën ndikimin e motit të kthjellët.

“Në Malin e Zi dhe në Kosovë do të ketë reshje të pakta në mesin e javës, por më pas pritet përmirësim. Kosova në fundjavë do të shënojë 32°C, ndërsa Maqedonia e Veriut do të ketë temperatura deri në 24°C”, theksoi Porja.

 


Shtuar 15.09.2025 12:26