Meta shpërthen ndaj Braimllarit: E konvertoi SPAK në rilindas, ka firmën në lobimet e LSI-së kur isha President

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij Endrit Braimllari, i cili tashmë është pjesë e PS-së.

Meta e akuzon Brahimllarin se është “konvertuar” nga SPAK në radhët e rilindasve, ndërsa mohon deklaratat e këtij të fundit që pretendon se nuk ka lidhje me dosjen e lobimeve të LSI-së.

“Vetëm një rilindas mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie”, shkruan Meta në reagimin e tij.

Sipas tij, firmat për kontratat e lobimeve të LSI-së në SHBA gjatë periudhës 2018-2019 mbajnë emrin e Endrit Braimllarit, në kohën kur Meta ishte President i Republikës dhe jo kryetar partie.

“Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti ‘gradohet’ nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës”, vijon Meta, duke ngritur edhe pikëpyetje nëse “është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij”.

Debati mes Metës dhe Braimllarit, vjen në sfondin e hetimeve të SPAK mbi financimet e dyshimta të LSI-së në SHBA dhe në një moment kur ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, tashmë është rreshtuar krah socialistëve në pushtet.


Shtuar 21.06.2025 13:28