Meta reagon nga burgu 313: Kam qenë koherent me Reformën në Drejësi përballë grushtit të shtetit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga ambientet e burgut 313 përmes një shkrimi në rrjetet e tij sociale.

Meta theksoi në shkrim se “tymnajat e propagandës rilindase, nuk mbulojnë dot faktet dhe të vërtetat që provojnë qëndrueshmërinë e Metës përballë Reformës në Drejtësi gjatë roleve publike që ka pasur në politikën shqiptare ndër vite”.

“Tymnajat nuk mbulojnë dot faktet dhe të vërtetat e mëdha, që provojnë koherencën e Ilir Metës në raport me Kushtetutën në çdo kohë e sidomos me Reformën në Drejtësi, që në mënyrë antikushtetuese u kthye në Ramaformë si një kobure në duart e tij për të asgjësuar kundërshtarët kryesorë politikë dhe garantuar pandëshkueshmërinë e tij”, tha Meta.

Ai e përshkroi rolin e tij si kryetar i Kuvendit dhe kryetar i LSI-së, si faktor përcaktues i mazhorancës në atë periudhë. “U ra dakord për Reformën në Drejtësi me kusht që ajo të ekzaminohej dhe certifikohej nga Komisioni i Venecias”, shtoi Meta.

“Edhe kështu u bë dhe u votua, pavarësisht nga lojërat e Edi Ramës dhe McGonigalëve nga të dyja brigjet e Atlantikut. Edhe kur Edi Rama bashkë me ata e prishi konsensusin që ishte arritur më parë falë insistimit tim dhe bllokuan Komisionin e Reformës Zgjedhore të mblidhej për të reflektuar konsensusin që ishte arritur, përsëri i keni të dokumentuara me zë e figurë momentet kur unë si Kryetar i Kuvendit ndërpreva seancën plenare dhe i thirra të dy ambasadorët që ishin në lozhë (të SHBA dhe BE), si edhe Edi Ramën dhe Lulzim Bashën për t’u takuar për të kuptuar se kush po prishte konsensusin.

Dihet se i vetmi që nuk erdhi ishte Edi Rama pasi ai qëndronte pas gjithë kësaj intrige, që synonte kapjen e sistemit të drejtësisë direkt përmes ndryshimeve kushtetuese, gjë që nuk e arriti dot atëherë, ndaj u votua me 140 vota”, theksoi Presidenti i PL-së.

Meta nuk i ndali akuzat për bashkëpunimet mes Prokurorëve, Këshillit të Lartë Drejtues dhe McGonigal.

“Por kuptohet, ai së bashku me McGonigalët e tij e arritën qëllimin më vonë dhe hap pas hapi”, tha Meta duke sjellë si argument, sipas tij, zgjedhjen antikushtetuese të Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku,

Sipas Metës, “opozita jo vetëm që nuk ndërmori asnjë hap për të parandaluar skenarin e lexueshëm të Ramës për kapjen e Prokurorisë, por edhe pasi hodhi shashka tymuese në sallën e Kuvendit kur u zgjodh Arta Marku me 69 vota, nuk u ankua në Gjykatën Kushtetuese edhe pse ajo ishte ende funksionale dhe shkelja e Kushtetutës ishte shumë flagrante”.

Meta theksoi se “zvarritja e ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese prej vitesh, konfliktet e hapura e të panevojshme President-Parlament nuk ishin pasoja dhe cenimi i besueshmërisë të institucionit më të rëndësishëm që mund të ketë një vend demokratik i vërtetë, që është Gjykata Kushtetuese”.

Sipas tij, djegia e mandateve të opozitës e përshpejtoi kapjen totale jo vetëm të drejtësisë, por edhe të gjithë institucioneve të tjera të pavarura në vend.

“Ndaj për të gjithë ata që përrallisin se mirë t’i bëhet Ilir Metës se vetë e votoi Reformën, përgjigja ime është se jam krenar që kam kundërshtuar në çdo moment këtë grusht shteti që ndodhi në vendin tonë dhe këtë betejë do ta vazhdoj deri në çmontimin e tij.

Denoncimet e mia të vazhdueshme ndaj kapjes së Reformës në Drejtësi dhe instalimit të grushtit të shtetit sigurisht që do kishin dhe do të kenë pasojat e tyre edhe për mua, të cilave as u jam shmangur dhe as do t’u shmangem ndonjëherë”, tha Meta.

Meta u ndal sërish te momenti i arrestimit të tij, duke e quajtur atë “një rrëmbim dhe tregues i grushtit të shtetit, ku SPAK nxjerr urdhër-arrestin të bazuar në një ligj që është shfuqizuar 4 vite më parë”.

Ai shtoi se SPAK pret që të shpërblehet pas zgjedhjeve në maj 2025 me një mandat tjetër 9-vjeçar.


Shtuar 15.11.2024 21:51

Tags: ,