Meta publikon grafikun: Lindshmëria merr tatëpjetën, asnjë vend në botë nuk ka përjetuar një traumë të tillë

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar një grafik ku tregon se si ka rënë lindshmëria në vendin tonë nga 3.4 fëmijë për grua, në vetëm 1.4 fëmijë për grua.

Sipas Metës, asnjë vend në botë, madje edhe ato në luftë nuk e kanë përjetuar një traumë të tillë të rënies së lindshmërisë për grua si Shqipëria.

Gjithashtu, Meta shton se ky është një alarm kombëtar dhe një kushtrim për ndryshim urgjent.

Postimi i Ilir Metës:

Shikoni grafikun e animuar më poshtë, se si merr tatëpjetën lindshmëria mesatare për grua te familjet shqiptare!

Asnjë vend në botë, madje edhe ato në luftë nuk e kanë përjetuar një traumë të tillë të rënies së lindshmërisë për grua si Shqipëria.

Nga 3.4 fëmijë për grua në vetëm 1.4.

Nga në krye të listës të vendeve europiane, në vendin e 177 nga 200 vende të klasifikimit të Kombeve të Bashkuara.

Ky është një alarm kombëtar!

Ky është një kushtrim për ndryshim urgjent!

Partia e Lirisë, ka objektiv të saj madhor Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus.

Mes shumë masave ekonomike, financiare, sociale dhe kulturore të rimëkëmbjes së kombit padyshim edhe fuqizimi i familjes dhe veçanërisht mbështetja me programe të posaçme të nënave të reja dhe familjeve të reja, do të jetë një përparësi absolute.


Shtuar 24.08.2024 15:26