Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan se këshilltarët e kësaj partie në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë miratuar të gjitha vendimet që lidhen me dhënien e ndihmës ekonomike dhe bonusin e qirave në kryeqytet.
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta thekson se Partia e Lirisë propozoi 11 amendamente për heqjen dhe uljen e një sërë taksash dhe tarifash vendore në Bashkinë e Tiranës.
Reagimi:
Partia e Lirisë jo vetëm që i ka miratuar të gjitha vendimet që lidhen me dhënien e ndihmës ekonomike dhe bonusin e qirave në Tiranë, por edhe ka propozuar nisma konkrete për shtimin e fondeve të ndihmës ekonomike dhe numrit të përfituesve, në mënyrë që të mos shohim më pamje tronditëse, kur përfaqësues të shtresave më në nevojë protestojnë për bukën e gojës para Bashkisë, duke humbur edhe ndjenjat poshtë zyrës së Erion Veliaj, i cili bën sikur nuk i sheh.
Rikujtoj gjithashtu që Partia e Lirisë propozoi 11 amendamente për heqjen dhe uljen e një sërë taksash dhe tarifash vendore në Bashkinë e Tiranës, nga të cilat qytetarët dhe bizneset do të përfitonin 50 milionë euro në vit, por që arbitarisht ato u rrëzuan nga Erion Veliaj, pasi interesi i tij nuk është të lehtësojë xhepat e qytetarëve, por është të shtojë vjedhjen përmes inceneratorit fantazëm të Tiranës, ku ai është pronari faktik i saj, sipas edhe vetë ish-zëvendëskryeministrit të Partisë Socialiste.